LVV zyrtarizon Kurtin kandidat për kryeministër, partitë në Kosovë finalizojnë garën elektorale
Tri ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave zgjedhore, subjektet politike në Kosovë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti është rizgjedhur unanimisht kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Kurti, i cili synon një mandat të ri pas fitoreve të mëparshme elektorale të LVV-së në vitin 2025, deklaroi se objektivi i tij është sigurimi i rreth 60% të votave. Partia në pushtet ka konfirmuar gjithashtu vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Ndërkohë, edhe partitë e tjera politike janë në fazën e finalizimit të listave të kandidatëve. Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të mbajë mbledhjen e saj për të përcaktuar listën zgjedhore, ku një nga zhvillimet kryesore mund të jetë rikthimi i ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët me këtë subjekt.
Sipas analistëve politikë, përfshirja e saj potenciale në listën e LDK-së mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet elektorale, duke e forcuar pozicionin e partisë në garë.
Në kampin opozitar, Partia Demokratike e Kosovës po shqyrton mundësinë e zgjerimit të listës me subjekte të tjera politike. Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re kanë shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar listës së PDK-së, në funksion të krijimit të një fronti të përbashkët opozitar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar regjistrimin e 22 subjekteve politike dhe tre koalicioneve për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa disa subjekte të tjera kanë hequr dorë nga garimi i pavarur.
Zgjedhjet e ardhshme vijnë pas një periudhe të tensionuar politike dhe pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese, duke i bërë këto zgjedhje të tretat parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë.
KOHA JONË SONDAZH

