Mbrojtja e Krasniqit në Hagë: Prokuroria mbylli sytë para provave që nuk i përshtateshin narrativës së saj
Sot zhvillohet dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Pas mbrojtjes së Selimit, ishte radha e mbrojtjes së Jakup Krasniqit. Avokatja e Krasniqit, Venkatesëari Alagendra tha se ZPS-ja ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj. Në këtë drejtim, ajo tha se Prokuroria nuk ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të saj lidhur me emërimin e Jakup Krasniqit si zëvendëskomandnat i UÇK-së.
“Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i Krasniqit si zëvendëskomandant nuk njihej në të gjitha nivelet e UÇK. Ai nuk njihej si zëvendëskomandant për mbështetje për ndërkombëtarët që kishte komunikim”, tha avokatja Venkatesëari Alagendra. “Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtët dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk u pranua asnjëherë, më saktë u kundërshtua nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, shtoi ajo.
Avokatja e Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të klientit të saj me krimet. “Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.
Ajo pretendoi po ashtu se Prokuroria nuk ka bërë punën siç duhet, pasi nuk ka ftuar dëshmitarë kyç që do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe të ofronin informacione për hierarikën e UÇK-së. Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës. Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.
Avokatja Venkatesëari Alagendra tha se ZPS-ja mbështetet në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit. Ajo tha se nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar. Në nisje të deklaratave përmbyllëse avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij. Ajo tha se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë që 1.926 ditë.
“Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij”, tha ajo. Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit. /REL/
KOHA JONË SONDAZH

