Mbyllen votimet në Kosovë, sondazhet japin fitues Albin Kurtin, por nuk krijon dot qeverinë i vetëm

Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë 42.3 për qind të votave të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, sipas projeksionit të KOHA, ku nuk përfshihen votat nga diaspora. E përkthyer në mandate në Kuvend, në bazë të këtij projeksioni me diferencë gabimi deri në 2.54 pikë përqindje, kjo parti do të marrë 47 mandate.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte më shumë se 50 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës do të mbetet partia e dytë me 21.3 për qind të votave. Sipas projeksionit, kjo parti ka marrë 23 ulëse në Kuvend.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritjen më të madhe që nga zgjedhjet e vitit 2021. Nga më pak se 13 për qind, kjo parti tani numëron 20.4 për qind të votave, bazuar në projeksionin pa diasporë. Sa i përket mandateve, sipas formulës së re të Kuvendit, edhe kjo parti do të ketë 23 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe grupe të tjera, mbetet forca e katërt politike në Kosovë. Kjo parti do të ketë 7 deputetë. Ajo mori 6.3 për qind të votave./ Koha.net
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Kosovë do të dihen “shumë më shpejt”, ndryshe nga herët e kaluara, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media. Fillimisht do të bëhet numërimi vetëm i votave për subjektet politike, dhe për këtë shkak, KQZ pret që t’i japë më shpejt rezultatet paraprake.
“Po shpresojmë që, duke pasur parasysh që numërimi i fletvotimeve në vendvotime do të bëhet vetëm për pjesën e fletvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike, do të bëhet më shpejt – sepse nuk do të kemi numërimin e pjesës së fletvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur edhe kandidatët për deputetë, po shpresojmë që brenda një kohe të shpejtë të arrijmë t’i kemi rezultatet preliminare nga vendvotimet për subjektet politike”, – tha Elezi.
Për kohën e saktë se kur mund të dalë rezultati tha se nuk mund të flasë.
“Sigurisht që do t’ju njoftojmë, por do të mund ta shihni edhe në web-faqen e KQZ-së kur të dhënat nga vendvotimet fillojnë të vijnë e të shfaqen dhe dalngadalë do të mund të shihni përditësimin e tyre dhe votat për secilin subjekt politik garues”, tha Elezi. Kjo, ai tha se do të varet “nga ecuria e numërimit të fletvotimeve në vendvotime dhe ngarkimit të këtyre të dhënave nga zyrtarët tanë që janë në këto qendra votimi”.