Mbyllet Kosova nga ora 20:00 e së premtes deri në orën 05:00 të së hënës

Kosova shënoi të premten rekord të ri të të prekurve nga koronavirusi brenda një dite, duke bërë që autoritetet të ashpërsojnë masat parandaluese.
Të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregojnë se nga një mijë e 827 teste të kryera, 728 persona janë konfirmuar si të infektuar.
Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes së personave të infektuar.
Rastet e reja e çuan në 22 mijë e 934 numrin e të prekurve dhe ne 723 numrin e viktimave.
Nga rastet e reja 316 janë nga Prishtina e cila vazhdon të prijë me numrin e të infektuarve. Qeveria e Kosovës vendosi ashpërsimin e masave për të frenuar zgjerimin e infektimeve. Nga ora 20:00 e së premtes deri të hënën, në orën 05:00, ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste.
Përgjatë kësaj kohe do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe baret e restorantet në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas vendimit të qeverisë gjatë fundjavës do të punojnë dyqanet e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e benzinës.
Ministria e Shëndetësisë vendosi po ashtu ndalimin e hyrje daljeve të qytetarëve dhe makinave private prej orës 20:00 të së premtes deri në orën 05:00 të së hënës për shtatë komuna të Kosovës: Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilani, Obiliq , Gjakovë, Podujevë dhe Shtime.

SHKARKO APP