Mediu: Marrëdhënia e Ramës dhe Thaçit me Vuçiçin, i ka dhënë mundësi Serbisë, që të fitojë një kredibilitet të padrejtë
Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore, e drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu në bashkëpunim me z. David Philips, drejtues i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në “Columbia University”, organizuan një forum për situatën dhe të ardhmen e Kosovës.
Në këtë konferencë morën pjesë qindra pjesëmarrës nga rajoni dhe SHBA, diaspora në Amerikë.
Folës të këtij forumi ishin: Analisti i njohur Daniel Server, David Philips, Michael Hatzel, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-Kryeministër, Blerim Reka, Ministër, Arta Dade, ish Ministre e Jashtme e Shqipërisë, Fatmir Mediu, Ish-Ministër i Mbrojtjes, Miodrag Vlahoviç, ish-Ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe Sonja Biserko, kryetare për të drejtat e njeriut në Serbi.
Të gjithë folësit parashtruan qëndrimin e tyre në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj territorial.
Z. David Philips që moderoi panelin theksoi se SHBA ka qenë në krah të Kosovës për pavarësinë e saj.
“Kosova duhet të përcaktojë qartë qëllimet e saj në mënyrë që të gëzojë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së”, tha ai.
Ai bëri me dijeni se shumë përfaqësues të diasporës shqiptare në Amerike i janë drejtuar Presidnetit Trump me një letër ku kërkohet të ruhet sovraniteti i Kosovës dhe reciprociteti në dialogun me Serbinë, si dhe duke protestuar për marrëdhënie me njerëz që nuk garantojnë zgjidhje të qëndrueshme.
Z Daniel Server, David Philips dhe Michale Hatzel, mbështetës të njohur të Kosovës, theksuan se: “Ndryshimi i kufijve është një lëvizje e rrezikshme, në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon dhe nxitimi për zgjidhje para zgjedhjeve Presidenciale në Amerikë, është në disfavor të shqiptarëve, duke pas në konsideratë peshën e serbëve në Ohio, një shtet i pavendosur ku serbët kanë një peshë elektorale të konsiderueshme”.
Ai theksoi se: “SHBA duhet të ketë një vëmendje të madhe në Kosovë dhe Ballkan, dhe të ndikojë në një zgjidhje të drejtë, duke njohur dhe vlerësuar arritjet dhe interesat amerikane gjatë administratës Klinton dhe Bush dhe kjo duhet bere ne harmoni me BE. Administrata “Trump” duhet të bashkëpunojë me BE, në veçanti me Gjermaninë dhe Britaninë, për t`i dhënë një zgjidhje përfundimtare dialogut Kosovë – Serbi. Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten aleatët dhe miqtë më të afërt të SHBA-së në Europë”.
Ish-ministri Mediu theksoi se: “Situata gjeopolitike në rajon ka ndryshuar dhe përfshirja e Rusisë në këtë diskutim është në dëm të interesave të Kosovës dhe rajonit. Çdo tendencë për shtete etnike në Ballkan i shërben Rusisë, për të justifikuar ndërhyrjen e saj në Gjeorgji dhe aneksimin e Krimesë, si dhe për të frenuar proçeset integruese në BE dhe NATO të Ballkanit. Marrëdhënia e Ramës dhe Thaçit me Vuçiç, i ka dhënë mundësi Vuçiçit dhe Serbisë, që të fitojë një kredibilitet të padrejtë, që nuk e ka pasur në SHBA dhe BE, si dhe të shfaqet si pjesë e zgjidhjes në një kohë që është e kundërta. Marrëdhëniet e tij me Putin dhe Rusinë e Kinën, synojnë të rikthejnë dominancën serbe në rajon, pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe të aneksojnë Republica Serbska nga Bosnjë Hercegovinë. Politika dhe Institucionet në Kosovë duhet të jenë të unifikuar në qëndrimin e tyre politik dhe institucional, për zgjidhjen e problemeve me Serbinë, e vënë në diskutim integritetin e saj territorial”, tha ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës theksoi se: “Dialogu me Serbinë u shndërrua në marrëdhënie dhe marrëveshje sekrete të liderve të Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve, duke hapur kështu kutinë e Pandorës dhe kërcënuar stabilitetin rajonal”.
Ajo theksoi nevojën e reciprocitetit dhe ndëshkimit të krimeve të Serbisë në Kosovë, e cila për fatin e keq është lënë në harresë.
Ish-Kryeministri Haradinaj theksoi se: “Vendosja e tarifës ishte një hap i rëndësishëm, i cili frenoi ndarjen e Kosovës, me gjithë presionet e mëdha nga Rama, Thaçi dhe Vuçiç. Ne u ulëm në dialog me Serbinë, e cila nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë dhe kjo u konsiderua si dobësi. Kosova nuk mund të shkojë mbrapsht dhe të vërë në diskutim atë që ka arritur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. BE fatkeqësisht nuk ka pasur një qëndrim të unifikuar, gjë e cila ka ndikuar negativisht. Ndryshimi i kufijve ishte një marrëveshje e vendosur e tre përfaqësuesve, Vuçiç, Rama, Thaçi, të cilët së bashku kërkonin të mernin mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së”.
Ministri Blerim Reka theksoi se: “Askush nuk mund të vendosë në diskutim legjitimitetin e Kosovës. E ardhmja e Kosovës është ajo Euro-Atlantike dhe BE në duhet të garantojmë një qeverisje liberale dhe të eliminojmë kapjen e shtetit. Dialogu me Serbinë duhet bazuar mbi reciprocitetin, i cili nuk është një akt, por filozofi e një marrëdhënieje të qëndrueshme ndërkombëtare, një marrëdhënie ndërmjet dy shteteve të pavarura”.
Kryetarja e të drejtave të njeriut në Serbi, Sonia Biserko theksoi se: “Ideja e ndarjes sē Kosovës është një ide e viteve 80, e cila është ringjallur nga Vuçiç dhe qarqe të tjera ekstremiste, për interesa politike, dhe ajo tha se ishte e habitur se si qeveria e Tiranës ishte dakort me këtë lëvizje në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon”.
Ish-ministrja Arta Dade vuri theksin në një politikë të unifikuar shqiptare ndër vite, ndryshe nga sot, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit.
Ish-Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Vlahoviç vuri në dukje se Beogradi në bashkëpunim me Moskën, jo vetëm janë shprehur kundër zgjerimit të NATO-s, por në Malin e Zi u përpoqën të organizojnë dhe eliminimin e Presidentit Gjukanoviç.
“Në rajon kemi qeverisje të korruptuara dhe të inkriminuara, që ngjajnë me qeverisjen e Putin dhe aspak me demokracinë”, tha ai.
Mbas takimit, shumë pjesëmarrës kërkuan organizmin periodik të këtij forumi për të ardhmen e Kosovës.