VIDEO-FOTO/ Mijëra qytetarë protestuan kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e kësaj të enjte në qendër të Prishtinës për të shprehur pakënaqësinë ndaj, siç thanë organizatorët, qasjes së njëanshme të Gjykatës Speciale, e cila po tenton të zhvendosë fajësinë nga pushtuesit te çlirimtarët. Në fjalimet e mbajtura u theksua se drejtësia selektive krijon padrejtësi dhe dëmton procesin e vërtetë të pajtimit dhe drejtësisë. Protesta u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, të cilat kërkuan drejtësi të barabartë dhe trajtim të drejtë për të akuzuarit në këtë proces.
Për një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmetin, Serbia po përpiqet vazhdimisht që përmes Gjykatës Speciale në Hagë ta përmbys çdo të arritur në Kosovë. ”Gjatë luftërave, e pas tyre, e deri më sot, e si duket, për fat të keq, asnjëherë Serbia dhe zyrtarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë pajtuar me të drejtat e shqiptarëve. Prandaj, Serbia, me përkrahësit e saj, ka bërë dhe po bën gjithçka për zhbërjen e Pavarësisë së Kosovës. Përmes Gjykatës Speciale të Hagës, ajo po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë”, tha Ahmeti.
Hetuesja e njohur në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, Neveka Tromp ka kritikuar zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë një proteste të mbajtur kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ajo tha se ish-krerët e UÇK-së kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, sepse kishin besuar në drejtësi dhe ndershmëri.
”Ata që sot po akuzohen, ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri, Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara”,-shtoi Tromp. Duke shprehur shqetësimin e saj për mbajtjen e zgjatur të të akuzuarve në paraburgim pa një proces të drejtë, ajo theksoi se besimi i tyre në drejtësi është thyer.
KOHA JONË SONDAZH






