Mijëra vota të pavlefshme nga diaspora, KQZ: Rezultati brenda pak ditëve

9 ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, votat mbeten të panumëruara. Zëdhënësi Valmir Elezi tha se po vijon me intensitet të lartë puna për shpalljen e rezultateve dhe se deri më tani janë numëruar 78 përqind e votave për kandidatë për deputetë. Elezi foli edhe për pakot e fletëvotimeve nga diaspora, duke thënë se 2000 pako nga rreth 28 mijë që u vlerësuan janë refuzuar.
Elezi shtoi se numërimi i votave nga jashtë Kosovës, votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta do të fillojë sapo të përfundojë numërimi në qendrat komunale dhe sapo të bëhet procesi i vlerësimit të tyre.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, mbeten për t’u verifikuar edhe 12 801 vota me kusht. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 597 vota. Në proceset e kaluara zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, si ato të vitit 2014, 2017 dhe 2021, KQZ-së i janë nevojitur nga 18 ditë në secilin proces për të shpallur rezultatet përfundimtare dhe nga 8 apo 9 ditë, për të certifikuar rezultatet përfundimtare.