Ministri turk mesazh Prishtinës: Kujdes gylenistët

Nga Prishtina, ministri i jashtëm turk Hakan Fidan përcolli mesazhin e qartë se Ankaraja pret nga autoritetet atje të ndërmarrin veprime kundër lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste. Shefi i diplomacisë turke doli me pretendimin se organizata në fjalë paraqet kërcënim edhe për Kosovën.

”Me ministren Gërvalla folëm edhe për luftën kundër terrorizmit dhe për hapat që duhet të hidhen ndaj organizatës terroriste FETO. Për fat të keq, prania e saj në Kosovë vazhdon të përbëjë shqetësim për ne. Dua t’ju kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.

Marsin e vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, punonjës të një shkolle private në Prishtinë, lëvizje kjo që ngjalli diskutime të mëdha pasi dyshohet se i gjithë procesi u shënjua nga dhjetëra shkelje. Të gjithë të arrestuarit, u përballën pas kësaj me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund u dënuan gjithsej me 56 vjet heqje lirie.

SHKARKO APP