Ministria e Shëndetësisë së Kosovës sqaron pse refuzoi vaksinat kineze nga Shqipëria
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sqaruar vendimin për të mos pranuar vaksinat kineze të dhuruara nga Shqipëria.
Sami Uka, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur për Telegrafin se kjo vaksinë nuk është e licencuar nga EMA.
“Për mësuesit tanë na janë ofruar vaksina Sinovac të Kinës. Natyrisht për shkak se e njëjta nuk është e licencuar dhe aprovuar nga EMA për përdorim në Evropë, dhe e njëjta bie ndesh me ligjet tona”, ka thënë Uka.
REFUZIMI I KOSOVES
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se Shqipëria do të vaksinojë mësuesit vetëm kur të ketë doza të vaksinave perëndimore. “Numri i vaksinave ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’ është harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu.
Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me ‘Sinovax’, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë se ne edhe po të donim na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Europian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen.
Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi”, nënvizoi Vitia duke shprehur gatishmërinë e homologes së tij në Shqipëri, Ogerta Manastirliu se me të mbërritur doza të tjera nga “Pfizer” ose “AstraZeneca”, mund të nisë procesi i imunizimit për arsimtarët në Kosovë. Kosova është vendi i fundit në Ballkan që nisi procesin e vaksinimit përmes mekanizmit të “COVAX”, i cili i siguroi 24 mijë doza “AstraZeneca”. Më parë, shtetit fqinj shqipfolës i janë ofruar shtete si Kina, Serbia dhe Rusia, por i ka refuzuar dhe vazhdon ta bëjë. Jo vetëm si hyrje doganore, por as për t’u përdorur për qytetarët e Kosovës.