Momente dramatike për mikun e Kosovës, Tony Blair
Ata që ishin pro daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja dhe ata që ishin kundër daljes, për momentin nuk i kanë armët e drejtuara kah njëri-tjetri. Ata nuk i kanë lëshuar armët, veç i kanë drejtuar kah kryeministri Tony Blair. Britanikët janë në një disponim destruktiv.
Nga Berat Buzhala
Diktatorët nëpër botë dje duhet t’i kenë hapur shampanjat për të festuar. Arsye për festë kanë pasur. Ata, pas raportit të Sir John Chilcot, për luftën në Irak, do të mund të qëndrojnë shumë më të qetë. Britania e Madhe vetëm sa është vetizoluar edhe më shumë. Ka vënë rregulla shumë më strikte, nëse dëshiron të marrë pjesë në luftëra për shpërndarje të demokracisë.
Çfarë është raporti i Sir John Chilcot
Dje rreth orës 11 të ditës, Sir John Chilcot, doli me raportin e tij përfundimtar për Luftën në Irak. Jo për luftën në Irak, por për Luftën e Tony Blairit në Irak. Sepse i tillë ishte menduar ky raport, kur ishte porositur nga pasuesi i Tony Blairit, Gordon Brown, në vitin 2009, për shkak të presionit të publikut, për ta kuptuar se pse ishte futur Mbretëria e Bashkuar në këtë luftë? A e kishte vënë në lajthitje Tony Blair kombin? A i ishin të falsifikuara të dhënat e Shërbimit Inteligjent? Cilat ishin raportet e Blairit me Presidentin Amerikan, George W. Bush? E shumë e shumë pikëpyetje të tjera,
Ishte menduar që ky raport do të përfundonte brenda një viti. Ishte menduar që do të ishte vetëm një raport sa për sy e faqe “për ta larë dhe shpëlarë” punën e kryeministrit Blair. Por Sir John i befasoi të gjithë. As nuk e nxori raportin e tij brenda një viti, e as sa për sy e faqe. Ai, bashkë me ekipin e tij, në fund të punës, e nxorën një dokument që është tri herë më i madh se Lufta dhe Paqja e Tolstoit, ose sa gjashtë herë tërësia e veprave të Shekspirit. I gjithë dokumenti është në 6 vëllime, me gjithsej 2 milionë e 600 mijë fjalë.
Dhe ja çfarë ngjau: Sir John e publikoi raportin në ora 11 të mëngjesit. Kuptohet jo të gjithë raportin, por përmbledhjen e tij. Ende pa dal ai mirë nga dera e konferencës për shtyp, populli britanik, mediat, politikanët, e përgatitën grillin për ta pjekur Kryeministrin Blair.
Kështu për shembull, vetëm 45 minuta nga publikimi i raportit, kishte reaguar Kryetari i Liberal Demokratëve, duke e goditur Blairin për luftën e tij, e duke kërkuar madje që ndaj tij edhe të fillonte një proces gjyqësor. Skeptikët, shumë të paktë në mesin e mediave, megjithatë e ngritën pyetjen legjitime: A mund të lexohen 2.600.000 fjalë për 45 minuta, apo ishte thjesht në sajim, sepse sulmet ishin gati për z. Blair. Të kuptohemi për një gjë: Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nuk ka politikan më të urryer nga të gjitha kampet, se sa miku ynë Tony Blair. E urrejnë për çfarë ka bërë gjatë punës së tij si Kryeministër, siç ishte nisja e luftës në Irak, por më shumë çfarë ka bërë pasi është larguar nga kjo detyrë, duke u bërë këshilltar i autokratëve të ndryshëm nëpër botë, si bie fjala i Presidentit të Kazakistanit.
Laburistët e urrejnë, duke e quajtur vetëm nominalisht të majtë, sepse sipas tyre ai kishte ndjekur politika të djathta. Këta të fundit e urrejnë për arsye të tjera, por kryesisht për faktin se nën Tony Blairin kishin qëndruar në opozitë për një kohë të gjatë.
Të gjithë kundër Tony Blairit
Më lejoni të shpjegohem se unë që po e shkruaj këtë përmbledhje nuk e kam lexuar asnjë shkronjë të raportit të gjatë të Sir John Chilcot. Krejt çfarë kam lexuar këto dy ditë janë analizat e bëra, ekstraktet e nxjerra nga ky raport si dhe përpjekja e ime e vazhdueshme për t’i lexuar të dyja kampet, pra ata që e sulmojnë z. Blair që janë shumica, si dhe ata që e mbrojnë që janë një pakicë margjinale, e që dje e as sot nuk e kishin ditën më të mirë për të ngritur kokën, kur në rrugët e Londrës po protestonin familjarët e rreth 180 ushtarëve britanikë të vrarë në luftën në Irak. Kundër z. Blair ishin, këtë herë, mediat liberale, siç është The Guardian, mediat konservatore, si The Daily Telegraph, The Times, e posaçërisht piranët e gazetarisë britanike, The Daily Mail dhe The Sun. Të gjithë këto, ose shumica e tyre, si the Guardian, The Times, por edhe të tjera, në vitin 2003, kur ishte invaduar Iraku, e kishin mbështetur me editoriale Qeverinë Britanike dhe z. Blair. Kishin thënë që rrëzimi i Sadam Hysenit ishte i domosdoshëm.
Tash, kur kanë kaluar 13 vjet prej asaj ngjarje, këto media, por edhe shumica e deputetëve që kishin votuar pro invadimit, shumica e analistëve që e kishin mbështetur atë, në dy ditët e fundit e sulmuan më së shumti z. Blair. Thanë se kanë qenë të mashtruar prej tij. Se kishin besuar që Sadam Hyseni kishte armë për shkatërrim në masë, e të cilat mund t’i vinte në përdorim për 45 minuta. Por njëjtë, sikur këta, kishte besuar edhe Tony Blair. Edhe ai, me dhjetëra, në mos me qindra herë, ka thënë se kishte besuar në informatat e Shërbimeve sekrete, të cilat në fund dolën të pavërteta. Edhe Blair thotë se i vjen keq për çfarë ka ndodhur, por nuk është penduar. Ai thotë, se pa Sadam Hysenin, bota është shumë më e mirë. Në fakt të gjithë pajtohen me ketë, por që assesi të pajtohen me njëri tjetrin.
Blair – Bushit: Unë jam me ty, le-t’del-ku-t’del
Sipas mediave amerikane që në mënyrë shumë rutinore u morën me ketë ngjarje, që e dridhi Mbretërinë e Bashkuar, raporti i Sir John Chilcot i ka thënë të gjitha ato që tashmë diheshin. Ishte një raport i stërvonuar, i detajuar, voluminoz, pa asnjë ekskluzivitet. Më falni, është veç një ekskluzvitet, që bëri bujë gjithandej. Një letër që Tony Blair i kishte dërguar Presidentit Bush, disa javë para invadimit në Irak. Letra, si tërësi, në fakt ishte e favorshme për Tony Blairin. Ai ftonte z. Bush që përpara se t’i suleshin Irakut, t’i shteronin të gjitha opsionet ligjore, siç ishte konsensusi në Këshillin Sigurimit – që siç dihet nuk arrihet kurrë.
Mediat nuk u morën shumë më këtë pjesë, por u ndalën vetëm në dy tri rreshtat e fundit të saj, ku Blair thotë: Unë jam me ty, le-t’del-ku-t’del (Im with you, whatever). Sipas krijuesve të opinionit publik, sipas politikanëve, sipas familjeve të të vrarëve, ky ishte një nënshtrim i Blairit para SHBA’ve. Kjo fjali, sipas tyre, ishte një fletë e bardhë, e nënshkruar në fund nga Blair, ku Bush mund të shkruante çfarë të donte. Madje, tashmë doli në pah edhe fakti se dy këshilltarë të Blair, të asaj kohe, në mesin e tyre i famshmi Jonathan Powell, i kishin thënë Shefit të tyre, që ta hiqte saktësisht këtë fjali nga letra që po i niste Presidentit Bush. Blair nuk i kishte dëgjuar. Kishte dashur që Presidentit Bush t’i dërgonte më shumë se sa një letër zyrtare. Kishte dashur t’i niste një letër emocionale dhe vëllazërore. Tjetër çfarë ka aty? Thuhet se intervenimi në Irak nuk ka qenë çështje urgjente. Mirëpo një konstatim i tillë mund të thuhet vetëm tash, prej kësaj perspektive. Tash kur dihet që Iraku nuk kishte armë për shkatërrim masiv. Tash kur u pa që dallimet sektariane në Irak paskan qenë shumë më të ashpra se sa mendohej. Tash kur kanë vdekur rreth 200 ushtarë dhe janë plagosur mijëra të tjerë. Në javët kur po merrej vendimi për ta rrëzuar Sadam Hysenin dhe djemtë e tij famëkeq nuk diheshin këta gjëra. Në atë kohë nuk kishte ndodhur as pranvera arabe. Qëllimi në fakt kishte qenë të vinte Pranvera arabe.
“Është e lehtë për Chilcotin që të bëhet i mençur pas përfundimit të ngjarjes”.
Ky ishte titulli i kolumnes, sipas meje, më të qëlluar në mediat serioze britanike, e botuar në The Times, nga David Aaronovich.
Ky kolumnist pyet, në mes tjerash: “A do të ishte më e mira Siria, apo më e keqe, sikur të invadohej? A do të vriteshin më pak, a më shumë civilë?”. Në këtë mënyrë Aaronovich bën dy krahasime, atë me Irakun ku është intervenuar dhe me Sirinë ku komuniteti ndërkombëtar nuk po ndërhyn. Në Irak janë vrarë nga dhuna sektare qindra mijëra, por edhe më shumë u vranë në Siri ku nuk po intervenohet.
“Basha Al Assad ka vendosur standarde të reja për kasaphanën”, thotë Aarnovich, duke pyetur vetën e tij “nëse do të ishte më keq sikur të ishte Sadami në pushtet, apo tash që është anarkia?”.
Dilema që po ngrihet tash, pas këtij raporti, është nëse Britania e Madhe do të mund të marrë pjesë më në luftëra për shpërndarjen e demokracisë, apo jo? Sipas standardeve të vëna në këtë raport, një gjë e tillë do të jetë e pamundur. Sir John, në raportin e tij, kërkon që para se Britania të niset në luftë, të dijë saktësisht se çfarë do të ndodhë pas saj. Një gjë e tillë është e pamundur. Që do të thotë është e pamundur që të niset më ndonjë luftë.
Tony Blair më zërin që i dridhej
Tony Blair, nga ana tjetër, po dje, është shfaqur në një konferencë për shtyp, jashtëzakonisht i emocionuar, duke iu dridhur zëri gjatë gjithë kohës. Kritikët e tij nuk e kanë parë aspak më simpati këtë emocionim të tij. Blair nga mediat e këtushme njihet si një aktor i shkëlqyeshëm. Në këtë dritë e kanë parë edhe paraqitjen e tij të djeshme.
Me lot në sy, me zërin që po i dridhej, Blair ka thënë: “Hyni në lëkurën time, unë vendosa që të shkoja në luftë veç një vit e ca më shumë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit”, tha Blair, duke shtuar: “Vendimi që kam marrë për të shkuar në luftë në Irak po e bart qe 13 vite dhe do ta bart edhe për pjesën tjetër të jetës. Asnjë ditë në jetën time nuk do të kalojë pa më rënë ndërmend një gjë e tillë”.
Ish Kryeministrit, ose stafi i tij, megjithatë e kanë lexuar raportin sipas mënyrës së tyre. Blair ka thënë që në raportin e Sir Chilcot, sado i ashpër që është ai, nuk thuhet se “kam gënjyer në asnjë moment, nuk kam mashtruar askënd në asnjë moment, e as që kam përgjegjësi ligjore”. Dhe të gjitha këto duket që janë të sakta. Raporti i Chilcot përdor gjuhë mjaft të ashpër, por në asnjë moment nuk flet për përgjegjësi ligjore të ish Kryeministrit. Askund nuk thuhet që Blair nuk i ka respektuar procedurat. Shumicën e kohës raporti flet për pasojat e luftës.
Jashtëzakonisht i matur në reagimin e tij, megjithatë, kishte qenë Kryeministri në shkuarje, David Cameron, i cili, duke qenë deputet i opozitës në atë kohë, kishte votuar në favor të invadimit. Mos të harrojmë, Blair e kishte marrë edhe pëlqimin e Parlamentit, për të invaduar në Irak. Në favor të tij kishin qenë mbi 450 deputet, kundër tij kishin qenë rreth 150 të tjerë. “Ne të gjithë duhet të pranojmë hisen tonë të përgjegjësisë”, ka thënë Cameron, duke e pranuar hisen e tij, e duke mos e bërë përgjegjës z. Blair për mashtrim dhe gënjeshtra.
Cameron gjithashtu tërheq vërejtjen për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Është gabim të konstatohet që ne nuk duhet të qëndrojmë krah SHBA’ve, kur vlerat tona të përbashkëta cenohen. Unë nuk mendoj që SHBA’të gjithmonë e kanë mirë, por unë mendoj që ata gjithmonë janë aleati ynë më i mirë”. Cameron, fare në fund të reagimit të tij, thotë se “Asnjë qeveri nuk mund të garantojë sukses të plotë në intervenimin ushtarak, qoftë edhe duke i pasur parasysh të gjithë këto të gjetura të Sir Chilcot”.
Cameron, që siç duket megjithatë dëshiron ta mbrojë ish Kryeministrin Blair, thotë se “Shikojeni Libinë. Nuk kemi intervenuar në rrugë tokësore, por gjendja nuk është aspak më e mirë se sa në Irak”.
Corbyn kërkon tribunal për krime të luftës për Tony Blairin
Në anë tjetër, ashtu siç edhe pritej, më i ashpëri me z. Blair, më kritiku ndaj të gjithëve, është Kryetari i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, parti të cilën e kishte udhëhequr vetë z. Blair. Corbyn, një majtist i thekur, ka shkuar aq larg sa ka kërkuar që Britania të bëhet pjesë e Tribunaleve Ndërkombëtare, ku do t’i transferonte të dyshuarit e saj për krime të luftës. Me një fjalë, ajo çfarë kërkon Corbyn, është që z. Blair të dërgohet si i dyshimtë për krime të luftës në Tribunalin e Hagës.
Sigurisht që Corbyn dje arriti më në fund të ngrinte kokën, të merrte pak frymë, pas një stuhie disa javore që po e mban as në tokë as në qiell. Mbi 80 për qind e deputetëve të partisë së tij kanë kërkuar shkarkimin e tij, pas dështimit të tij në referendumin e fundit, me të cilën u vendos që Mbretëria e Bashkuar të largohet në Bashkimi Evropian. Corbyn këtë votë kundër tij e ka quajtur “puç” dhe nuk e ka ndërmend të largohet. Nuk duhet të harrohet assesi që Corbyn ka qenë edhe kundër intervenimit të NATO’së në Kosovë, duke u rreshtuar krah Sllobodon Milloshevicit. Corbyn, madje, përveç kësaj, në një moment gjatë karrierës së tij politike i kishte quajtur “miq” Hamasin dhe Hezbollahu. Tash së fundmi ka kërkuar falje për një gjë të tillë, duke e parë se presioni ndaj tij po rritej. Pak a shumë kjo është gjendja e dy ditëve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të raportit të Sir John Chilcot, u harrua për pak kohë referendumi për daljen nga Bashkimi Evropian.
Sigurisht që pas largimit të kësaj stuhie prapa temë kyçe do të jetë Brexiti, dhe kriza në të cilët janë përfshirë tri partitë kryesore në vend: Partia Konzervatore, Partia Laburiste dhe partia ekstremiste UKIP. Që të tri këto parti tashmë janë pa udhëheqës. Përveç pa udhëheqës, janë edhe pa ide të qartë, nëse duan vërtet të dalin nga Bashkimi Evropian, apo janë penduar. Tony Blair dhe lufta e Irakut ishte një “blitzkrieg”. Ose, më shumë se sa kaq, ishte një qërim hesapesh, që kishin mbetur të pasqaruara deri në fund. Kryesisht në mes të liberalëve.
Marrë parasysh disponimin destruktiv të britanikëve, jam i sigurt që po të hidhej në referendum nëse duhet dënuar me vdekje Tony Blair, përgjigja do të ishte “PO”.