Ndërlikohet sërish situata, Vjosa Osmani refuzon pozicionin e kryetares së parlamentit
Kandidatja për Kryeministre e LDK’së, Vjosa Osmani, është përplasur me krerët e partisë rreth mënyrës se si kanë vendosur t’i ndajnë resorët qeveritare. Vjosa Osmani kishte kërkuar postin e Ministres së Punëve të Brendshme dhe atë të Zëvendëskryeministres. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak se Isa Mustafa ka anuar në drejtim të Agim Veliut.
Ajo i ka paralajmëruar në orët e pasdites se nuk e pranon postin e Kryetares së Kuvendit.
Ndërkohë, kur kishte përfunduar procesi elektoral, zyrtarët e LDK’së kishin thënë se Vjosa Osmani do të zgjedhë vetë pozicionin e saj në qeveri.
Për shkak të zhvillimeve të fundit, duket që ky premtim nuk është mbajtur, shkruan Ekspres.
Mbetet e paqartë se si do të reagojë nesër Vjosa Osmani apo që partia të mund të reflektojë dhe të ndryshojë vendimin e fundit për emërimet në pozitat qeveritare.
Ndërkohë, LDK në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka vendosur që Avullah Hoti do të jetë Zëvendëskryeministër.
Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes. Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë. Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre të Kulturës, derisa Lumir Abdixhiku për Ministër të Infrastrukturës.
Ndryshe, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.
Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin.
Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se e kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.
Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili pritet të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa, Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuar Rozeta Hajdarin.
Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit./Ekspres/