Në Hagë hapet zyra ndërkombëtare për hetimin e luftës në Ukrainë

Placeholder Image

Një zyre ndërkombëtare që do të hetojë Rusinë për pushtimin e saj të Ukrainës është hapur më 3 korrik në Hagë. Ky është hapi i parë drejt një tribunali të mundshëm kundër udhëheqjes në Moskë.

Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit (ICPA) ka prokurorë nga Kievi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).

Kjo zyrë do të hetojë dhe do të mbledhë dëshmi, në një lëvizje që po shihet si hap i përkohshëm para krijimit të një tribunali special, që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë.

Disa zyrtarët të lartë të ICPA-së do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës. Në këtë konferencë pritet të flasin prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, prokurori i ICC-së, Karim Khan, ndihmësprokurori i përgjithshëm amerikan, Kenneth Polite, dhe Komisionari i BE-së për Drejtësi, Didier Reynders.

Thirrjet për krijimin e një tribunali special për Ukrainën janë shtuar sepse ICC-ja, gjykata për krime të luftës që po ashtu ka selinë në Hagë, nuk ka mandat për të hetuar krimin e gjerë të agresionit.

ICC-ja po heton krime më specifike të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë dhe në mars lëshoi një urdhërarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me supozimet për dëbimin e fëmijëve.

Kievi po kërkon krijimin e një tribunali special që kur zbuloi qindra trupa pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti Buça, afër kryeqytetit ukrainas, në prill të vitit 2022.

Mbështetja ndërkombëtare për këtë ide është rritur dhe Komisioni Evropian në shkurt ka njoftuar për krijimin e ICPA-së.

Brukseli ka thënë se kjo qendër ka “synimin kryesor të ndjekë penalisht përgjegjësit e pushtimit” të Ukrainës.

Përfshirja e SHBA-së i ka dhënë më shumë fuqi përpjekjeve për krijimin e një trubunali special, pavarësisht faktit që Uashingtoni ende refuzon që të bëhet pjesë e ICC-së. REL

SHKARKO APP