Nesër votime në Kosovë, 1280 kandidatë për 120 vende në Parlament

Mbi 1,7 milionë shtetas do të zgjedhin të dielën se kush do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme. Për Parlamentin e ri me 120 vende do të garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar tashmë nga KQZ-ja.
Sipas KQZ-së ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore. Janë prodhuar 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; pjesa tjetër i takon votuesve kusht, për nevoja të veçanta apo të votuesve nga diaspora.
Risi në krahasim me zgjedhjet e kaluara do të jetë heshtja zgjedhore. Këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të ditës së votimit dhe do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 Shkurt. Procesi zgjedhor nis në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.