Njohja e Kosovës nga Izraeli/ Gazeta izraelite: Vuçiç tentoi ta parandalonte
Kosova dhe Izraeli këtë të hënë do t’i vendosin edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike. Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja izraelite, ‘‘The Jerusalem Post’’, teksa ka publikuar dhe një përpjekje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për ta parandaluar këtë.
Burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiç e bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet, megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët.
Serbia mund ta hapë ende një ambasadë në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen, i ka thënë një burim “The Jerusalem Post”.
Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Kosova do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane që do ta vendoste ambasadën e saj në Jeruzalem, dhe bashkë me Serbinë do të ishin vendet e para evropiane që e bëjnë këtë.