Osmani pret komandantët amerikanë të KFOR-it: Prania e ushtrisë së SHBA-së në Kosovë, jetike për sigurinë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.
Gjatë takimit, Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau një vlerësim për angazhimin e tij.
Presidentja i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.
Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të qytetarëve të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend, si pjesë e misionit të KFOR-it, duke e cilësuar atë jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
KOHA JONË SONDAZH

