Osmani publikon letrën e Trump dërguar në fund të mandatit: Kosova, partnere e besueshme e SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër falënderimi ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj.
Lajmi u bë publik nga vetë Osmani përmes një postimi, ku ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe SHBA-ve. Në reagimin e saj, ajo u shpreh se lidhja mes dy vendeve do të mbetet e palëkundur, duke falënderuar Trump për vlerësimin dhe letrën e dërguar.
“Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani.
Në letrën e dërguar nga Shtëpia e Bardhë, Trump vlerëson lidershipin e saj, duke e cilësuar si të guximshëm dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve të Kosovës. Ai thekson bashkëpunimin e ngushtë gjatë mandatit dhe rolin e Kosovës në nismat për paqe dhe stabilitet.
Presidenti amerikan nënvizon se Kosova ka qenë një partnere e besueshme e SHBA-ve, ndërsa shpreh bindjen se trashëgimia politike e Osmanit do të ndikojë në të ardhmen e vendit, rajonit të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.
Në përfundim, Trump shpreh gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në vitet e ardhshme.
KOHA JONË SONDAZH

