Pas Hagës dhe Prishtinës, protesta të reja të diasporës shqiptare në Evropë dhe Kanada
Pas tubimeve të zhvilluara në Hagë dhe Prishtinë, protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pritet të zhvillohen edhe në disa vende ku jeton diaspora shqiptare, përfshirë Vjenën, Zyrihun dhe qytete të ndryshme të Gjermanisë.
Katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u dënuan më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me një total prej 81 vitesh burgim. Thaçi dhe Krasniqi morën nga 25 vite, Veseli 18 vite dhe Selimi 13 vite. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Ndërkohë, në Vancouver të Kanadasë, është paralajmëruar një tubim paqësor me moton “Të Bashkuar për Drejtësi”, që pritet të mbahet sot në orën 18:00.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, duke e cilësuar aktivitetin si një tubim në mbështetje të drejtësisë dhe të vërtetës lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Për të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë!”, thuhet në thirrjen drejtuar pjesëmarrësve. Protesta të mijëra qytetarëve janë zhvilluar edhe në Prishtinë pas shpalljes së vendimit të Hagës.

