Pasojat e Jugosllavisë komuniste dhe trashëgimia ilire, flet profesor, Jahja Drançolli

Albanologu dhe historiani Jahja Drançolli thekson se periudha e Jugosllavisë komuniste dhe reduktimi i trojeve ilire ka lënë pasoja në politikën e sotme.
Drançolli në një intervistë për KosovaPress, reflekton mbi ndikimin e periudhës së Jugosllavisë komuniste dhe trashëgiminë e Ilirëve në formimin e historisë dhe politikës së Kosovës.
Ai nënvizon se pasojat e kufijve të krijuar në atë periudhë janë ende të pranishme në politikën e sotme.
Drançolli thotë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, por kufiri i Ilirisë ka qenë më i gjerë në të kaluarën dhe është ngushtuar me kohën. Kufiri i Ilirisë shtrihej nga Italia, Venediku dhe bregdeti deri në Greqinë e sotme, dhe në veri deri në lumenjtë Sava e Danub.
“Të gjitha periudhat janë aktuale, sidomos tërheqë vëmendjen periudha e Antikitetit edhe periudha Mesjetare me gjithë atë, periudha e shoqërisë bashkëkohore ose periudha e Jugosllavisë komuniste është shumë aktuale për arsye se pjesa në atë kohë Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë komuniste, e cila krijoji telashe kufitare, e këto telashe kufitare që janë paraqitur aty në politikën e ditës së Jugosllavisë komuniste, pothuajse janë aktuale sot e gjithë ditën,” tha ai.
Profesori Jahja Drançolli përkujton se territori i Ilirisë në Ballkan ka qenë dukshëm më i madh, por ka pësuar tkurrje si pasojë e pushtimeve.
“Është me rëndësi për arsye se dihet që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe kjo tregon se ne jemi ndër popujt më të pranishëm në Evropë që mund ta ketë komoditet ta studiojë historinë dhe kufijtë e vet prej Antikitetit deri në ditët e sotme. Ne e dimë që në Evropë gjatë Mesjetës ka pasur lëvizje të ndryshme veri-jug, lindje-perëndim, perëndim-lindje etj.
Ndërsa ilirët kanë qëndruar në hapësirat e veta edhe gjatë historisë, natyrisht janë rrudhur aq tepër sa që kanë mbetur në këtë hapësirë shumë të ngushtë. Për ndryshe, kufiri i Ilirisë ka qenë prej Italisë Venedikut të sotëm duke ndjekur vijën bregdetare deri në Greqinë e sotme dhe në veri deri në Savë dhe Danub”, tha ai. /KP/
KOHA JONË SONDAZH

