Përplasjet në LDK për Presidentin, Abdixhiku kritikon 6 deputetët: Për çfarë po rrahin gjoks, çfarë paskan shpëtuar?
Kriza politike në Kosovë është futur edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas zhvillimeve të fundit lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj gjashtë deputetëve të partisë, të cilët nuk e mbështetën marrëveshjen e propozuar për zgjedhjen e Presidentit dhe kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu.
Abdixhiku ka mohuar se LDK-ja kishte arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti. Sipas tij, qëndrimi i partisë ka qenë i qartë: LDK-ja do të qëndronte në opozitë dhe, për këtë pozicion, ishin pajtuar të gjithë deputetët. “Një marrëveshje qeverisëse me VV-në nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë qëndrim”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka kritikuar deputetët që kundërshtuan votimin e kandidatit të propozuar nga LDK-ja, duke theksuar se me këtë veprim është refuzuar edhe zgjidhja për postin e Presidentit. Sipas Abdixhikut, dështimi i procesit ka ndikuar drejtpërdrejt në situatën politike në vend dhe ka hapur rrugën drejt zgjedhjeve të reja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit – zgjedhje të reja”, ka shkruar ai në një postim në Facebook. Përplasja e fundit pritet të rikthejë në vëmendje debatet e brendshme në LDK dhe qëndrimet e ndryshme të deputetëve lidhur me mënyrën e tejkalimit të krizës politike.
Mundësia që Kuvendi i Kosovës të sigurojë kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit të ri duket gjithnjë e më e largët, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme. Më 31 gusht, të dyja partitë propozuan si kandidat për president Bekim Sejdiun, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kandidatura e tij nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së në votimin e së martës.
Analistët vlerësojnë se pas zhvillimeve të fundit, Kosova është më pranë zgjedhjeve të reja sesa arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas analistit Arbnor Sadiku, situata tashmë varet kryesisht nga vendimi i Albin Kurtit dhe mënyra se si ai do të zgjedhë ta orientojë krizën politike. “Ka pasur një dështim dhe, në të njëjtën kohë, vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa një marrëveshjeje të re. Krejt kjo situatë ndodhet në duart e zotit Kurti, varësisht se si dëshiron ta orientojë situatën”, tha Sadiku.
Sipas tij, Kurti ka dy mundësi: ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja ose të përpiqet të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. “Nëse dëshiron të shkojë në zgjedhje, mund ta dërgojë vendin menjëherë. Nëse dëshiron të gjejë zgjidhje, mund të negociojë për të siguruar ndonjë votë nga deputetë të partive të tjera apo edhe të ndryshojë kandidatin”, u shpreh Sadiku.
Ndërkohë, hapësira për bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare mbetet e kufizuar. Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Aleanca ka paraqitur gjashtë kushte për mbështetje, ndër të cilat edhe pranimin e projektit të gazit amerikan. Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, Aleanca ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë Kurtin në procesin e zgjedhjes së presidentit. Kosova u përball edhe më herët me një krizë të ngjashme institucionale. Më 7 qershor u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi në fillim të vitit Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.
KOHA JONË SONDAZH

