Phillips: Qëndrimi amerikan të mbështetet tek realiteti i ri në Kosovë

Një analist amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përshtatin  qëndrimin e tyre ndaj qeverisë së ardhshme të Kosovës, në përputhje me  vullnetin e popullit të Kosovës. Por prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias tha për Zërin e Amerikës, se edhe Albin Kurti  me kalimin e kohës, i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Në intervistën me  kolegen Keida Kostreci, zoti Phillips tha se ideja e ndyshimit të  kufirit ka vdekur dhe kur negociatat me Serbinë të rifillojnë, Kosova do  të shkojë në tryezë me një platformë të integritetit territorial.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, si i shihni rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë?

David Phillips: Është e qartë se democracia po  funksionon në Kosovë. Brezi i ri i votuesve do ndryshim. Njerëzit janë  të lodhur me kandidatët e vjetër që e ndërtuan reputacionin gjatë luftës  kundër Serbisë. Pra zgjedhjet shkuan mirë. Ato ishin të lira dhe të  drejta. Tani Kosovën e pret puna e madhe e formimit të qeverisë dhe të  një qëndrimi ndaj Beogradit për negociatat e ardhshme.

Zëri i Amerikës: A e shihni rezultatin jo vetëm si  një sinjal për mbështetjen ndaj zotit Kurti, por edhe si votë ndaj  politikave dhe qëndrimeve të ish-shumicës brenda vendit dhe në arenën  ndërkombëtare?

David Phillips: Është e qartë se Albin Kurti është i  respektuar dhe i admiruar nga elektorati. Tani atij i duhet të ndërtojë  ura bashkëpunimi dhe të punojë drejt formimit të një qeverie  koalicioni, të komunikojë me përfaqësuesit serbë në Kosovë për mënyrat  se si mund të punojë me ta dhe të zhvillojë një qëndrim për negociatat  me Beogradin. Mendoj se fillimisht do të rishikohet zbatimi i 33  marrëveshjeve ekzistuese dhe bazuar tek ajo analizë, do të rekomandohen  disa hapa për zbatimin e mëtejshëm të tyre. Një gjë që nuk është në  tryezë, është ndryshimi i kufirit. As Albin Kurti dhe asnjëra nga  partitë e mëdha nuk e mbështesin. Pra, qeveria e Kosovës mund të ketë  një dialog me Beogradin por dialogu do të jetë për normalizimin brenda  kufijve aktualë të Kosovës. Dhe nuk do të jetë në tryezë ndarja.

Zëri i Amerikës: Departamenti i Shtetit tha se  Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë  bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e  marrëdhënieve. A mendoni se kjo është realiste?

David Phillips: Patjetër që duhet të ketë negociata  për normalizimin. Të gjithë e mbështesin normalizimin. Ndryshimi i  kufijve ishte një ide e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiçit. Dhe tani i  ka ikur koha. Është e vdekur dhe nuk duhet të merremi më me të. Duhet  të përqendrohemi t’i bëjmë presion Beogradit që të njohë Kosovën, të  normalizojë marrëdhëniet, të merret me çështjen e personave të zhdukur,  në mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara si fqinjë brenda kufijve të  tyre, krah për krah në paqe dhe mirëqenie.

Zëri i Amerikës: Disa nga deklaratat dhe qëndrimet e  zotit Kurti, kanë shkaktuar shqetësim ndër vite tek perëndimi,  përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në fakt pas zgjedhjeve, deklaratat e tij  kanë qenë të matura. A mendoni se ai do t’i modifikojë qëndrimet kur të  jetë në qeverisje?

David Phillips: Unë e njoh prej dekadash Albin  Kurtin dhe e kam parë të ndryshojë si person dhe si personalitet  politik. Unë parashikoj që pjekuria e tij të rritet, që ai të vazhdojë  të ndryshojë. Ai mbështet një dialog me Beogradin, por duhet të jemi të  qartë për axhendën. Ai është kundër ndarjes apo ndryshimit të kufirit.  Prandaj unë pres që zyrtarët amerikanë të përshtaten me realitetin.  Albin Kurti do të fillojë përpjekjet për formimin e një qeverie. Do t’i  duhet të bashkëpunojë me parti të tjera dhe do t’i duhet të merret me  marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me serbët e Kosovës, me listën  serbe, në mënyrë që të punojmë në mënyrë konstruktive drejt forcimit të  një shoqërie të përbashkët që të jetë shumëetnike dhe demokratike.

Albin Kurti mund të jetë partner i mirë në këtë drejtim: i  pakorruptuar, pa pazare të fshehta, nuk ka prapaskena. Këtë donin  votuesit dhe ne në Shtetet e Bashkuara, duhet ta pranojmë.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që do të ketë përshtatje si nga ana e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga ana e zotit Kurti…

David Phillips: Kosova nuk është koloni e Shteteve  të Bashkuara, nuk merr urdhra nga Uashingtoni. Ditët kur ambasadori  amerikan në Prishtinë diktonte rregullat për çdo gjë, kanë mbaruar.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor (Matthew Palmer) dhe  tani i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, zoti Grenell, duhet  të ndjekin një strategji të mbështetur në realitet. Ata nuk do të  marrin vendime në Uashington dhe t’i thonë qeverisë së Kosovës apo Albin  Kurtit çfarë të bëjë. Duhet të ketë një dialog të vërtetë. Kosova është  e pavarur dhe sovrane. Duhet gjithashtu ta kuptojmë që votimi i së  dielës, ishte një refuzim i planit për ndarje dhe personalisht Hashim  Thaçit.

Votuesve të Kosovës u kishte ardhur në majë të hundës me qeverisjen e  tij në vend, që ishte joefektive dhe përgjithësisht e korruptuar. Ishin  kundër marrëdhënieve të tij rajonale, dhe lidhjeve të tepruara miqësore  me Beogradin. Ata duan një qeveri që do të përfaqësojë ineresat e  popullit të Kosovës dhe jo interesat e Rusisë apo Serbisë. Është koha të  shihet realiteti në sy.

Zëri i Amerikës: A mendoni se do të hiqen tarifat nga qeveria e re?

David Phillips: Sipas mendimit tim tarifat ishin  plotësisht të justifikuara, duke u nisur nga veprimet agresive të  qeverisë serbe ndaj Kosovës. Veprimet e Serbisë në Abu Dhabi në votimin  për Interpolin e detyruan Ramush Haradinajn, të vendoste tarifat e  jashtëzakonshme. Përpjekjet e tyre për të bindur vendet e tjera ta  tërhiqnin njohjen, e acarojnë edhe më shumë marrëdhënien. Tarifat  ekzistojnë. Ndoshta ato do të hiqen, por duhet të ulen gradualisht në  varësi të sjelljes së Serbisë. Nuk duhet të ketë më qëndrim antagonist,  nuk duhet ta shohë me përçmim Kosovën dhe t’i trajtojë shqiptarët e  Kosovës si më pak të rëndësishëm. Duhet të kemi trajtim të barabartë.  Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol për ta garantuar një gjë  të tillë dhe për të respektuar vullnetin e votuesve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ka ftuar LDK-në në koalicion. Si mendoni se do të shkojë?

David Phillips: Si dy partitë me numrin më të madh  të votave, LDK-ja dhe Vetëvendosja duhet të ulen dhe të flasin për  koalicion. Meqenëse Vetëvendosja ka numrin më të madh të votave dhe  gjasat më të mëdha janë që të marrë përgjegjësinë për negociatat dhe që  Albin Kurti të jetë kryeministri. Shtetet e Bashkuara duhet t’i  mbështesin këto përpjekje dhe LDK-ja në vend që të kërkojë rinumërim,  duhet të fillojë të bjerë dakord për bisedime, në mënyrë që t’i  përfaqësojë me efetkivitet qytetarët e shumtë që votian për LDK-në në  zgjedhje.

SHKARKO APP