Politika si “shkuma party”
Nga Enver Robelli –
Sidomos këto ditë, por edhe në muajt në vijim Kosova më së paku ka nevojë për «parada patriotike» të qeverisë së Tiranës. Politika është pak më shumë se një lloj i «shkuma party» i politikanëve të etur për protagonizëm publik, por pa autoritet. Kosovës i ndihmohet vetëm nëse i ndihmohet sundimit të ligjit dhe punës së drejtësisë. Në këto dy fusha Shqipëria nuk është shembull i mirë. Për fat të keq. Në të kaluarën ka pasur jo pak raste kur politikanë të Tiranës janë përpjekur t’i japin vetes rol të pamerituar në zhvillimet në Kosovë – dhe rezultati ka qenë i keq për të dy palët, me keqkuptime dhe polemika bizare, që kulmonin me akuza të ndërsjella për bashkëpunim me Serbinë dhe tradhti.
Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet me fjalime të shoqëruara me dihatje në Tiranë apo me fjalime mysafirësh nga Tirana në Kuvendin e Kosovës, ku tentohej të rishkruhej historia e Kosovës duke bërë lista personalitetesh të rëndësishme, pa u përmendur lëvizja për pavarësi e prirë nga Ibrahim Rugova. E njëjta vlen edhe për politikanët e Prishtinës: nuk është detyrë e asnjë politikani të Kosovës të luajë rolin e protagonistit politik në Tiranë dhe sfiduesit të pushtetit apo atakuesit të opozitës.
Shqipëria është shtet më vete, anëtare e NATO-s, kryesuese e OSBE-së, kandidate për hyrje në BE – rrjedhimisht ajo nuk ka nevojë për «këshilltarë patriotikë» nga Prishtina. Është punë e shtetasve të Shqipërisë të zgjedhin vetë politikanët që duan t’i qeverisin. Nëse zgjedhin sundimtarë që i keqqeverisin, çmimin e paguajnë vetë. Siç po e paguan edhe Kosova qe 20 vjet. Shtetet dhe shoqëritë mund të jenë inspirim për njëra-tjetrën vetëm me shembuj të mirë. Hapi i parë drejt shembullit të mirë do të ishte që nga Tirana Kosova të shikohet si tërësi dhe jo si stadium për t’i brohoritur një partie apo një grupi. Natyrisht kjo vlen edhe për tifozët patriotikë nga Prishtina që tregojnë muskujt në Tiranë dhe dalin qesharakë.