Protestë madhështore në Prishtinë. Kosova i thotë JO pazarit me kufijtë
Mijëra qytetarë kanë dalë sot në sheshin kryesor në Prishtinë për të kundërshtuar projektin e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç për korrigjimin e kufijve të Kosovës. Pa flamuj të Kosovës por me flamujt kombëtarë kuq e zi, mijëra qytetarë kanë kërkuar që ideja e ndarjes dhe korrigjimit të kufijve të mos jetë temë e bisedimeve mes Kosovës dhe Prishtinës.
Protesta u thirr nga partia opozitare Vetëvendosje, por në shesh kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të partive që janë sot në qeveri dhe qytetarë nga e gjithë Kosovës. Protesta e sotme cilësohet si një nga më të mëdhatë që janë mbajtur në Kosovës vitet e fundit.
Pjesëmarrja masive në këtë tubim është përgjigja që qytetarët e Kosovës kanë dërguar në adresë të Presidentit Hashim Thaçi, i cili është vendosur në pozicionin e ideatorit të ndarjes së Kosovës. Sipas Thaçit, korrigjimi i kufijve duke marrë Luginën e Preshevës në Serbi dhe duke i dhënë Beogradir katër komuna në veri do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia.
Por ky variant që i heq territorit të Kosovës një hapësirë të konsiderueshme tokësore dhe burime të mëdha natyrore dhe njerëzore etnike është cilësuar si një projekt antishqiptar.
Protestuesit hodhën parrulla të ndryshme kundër projektit të ndarjes. Kreu i Vetëvendosje Albin Kruti tha se “një popull nuk mund t’i nënshtrohet një njeriu”.
Protestuesit mbanin në duart parrullat si: “Me hajna nuk ka shtet”, “Albin Kurti”, “Luginën e duam sa Prishtinën”, ”Demokraci”. Me flamurin shqiptar, protestuesit kundërshtojnë në formë të prerë idenë e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh apo ndryshimin e tyre me Serbinë.
“Ne jemi të zemëruar si rrallë herë më parë, por jemi të bashkuar si rrallë herë më parë. Pavarësia është dashur të jetë për qytetarët dhe jo për pushtetarët. Qeveria po na rritet e shtetit po na zvogëlohet, prandaj populli duhet të ngrihet. Kosova është e kapur, sepse po bashkëpunojmë me okupatorët. Prej adoleshentëve e deri tek prokurorë po largohen nga vendi. Ne jemi këtu në shesh, sepse duam që ato nuk duhet të jenë në pushtete’, u shpreh Albin Kurti.
VIDEO NGA PROTESTA MASIVE NË PRISHTINË
https://www.facebook.com/Televizioni7/videos/512511699162378/
Kurti ka folur edhe për deklarimet e Thaçit se Kosova duhet të bëjë kompromise të dhimbshme në raport me Serbinë.
“Na u shfaq presidenti me kërkesë për kompromis të dhunshëm, sikur skamja e të tjerat të mos mjaftonin. Jo për kompromis të dhimbshëm për Serbinë, por për Kosovën. E nëse korrigjimi ndodh me dhimbje, atëherë ky nuk është vetëm korrigjim por edhe dhimbje” , është shprehur lideri i VV-së.
Sipas tij kjo protestë nuk është kundër Thaçit, por për ta mbrojtur shtetin.“Kjo nuk është protestë e inatit tonë apo urrejtjes ndaj dikujt. Kjo është protestë për dashurinë ndaj vendit tonë. Aq shumë e duam Kosovën Republikë, aq shumë e duam Kosovën Lindore, sa që në asnjë kusht dhe asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi një njeriu. Kjo protestë nuk është as për elektorat e as për vota. Sot e kemi shtetin në pikëpyetje. As Kosova nuk ndahet, as Kosova Lindore nuk ndahet. Serbisë borxh nuk i kemi, dhimbje të reja dhe kompromise tjera nuk pranojmë”, ka vazhduar Kurti.
Lideri i VV-së, thotë se Thaçi ka joshur Serbinë kur ka folur për kufijtë e Kosovës, por kjo protestë është si përgjigje ndaj tij dhe Vuçiçit. “Kjo protestë është përgjigje ndaj Thaçit dhe Vuçiçit dhe ndaj pazareve të tyre. Thaçi si president, duke i lëkundur e tundur kufijtë e Kosovës, e ka joshur Serbinë për territorin e Kosovës, dhe i dha leje Vuciçit për të ardhur në Mitrovicë dhe për ta ringjallur Millosheviçin.Ne nuk pranojmë kthim në kohën e Rankoviçit”, ka vazhduar Kurti.