Qeveria Hoti do të ketë jetë aq sa dëshiron Thaçi dhe do të bjerë kur atij nuk do t’i nevojitet më
Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është krijuar me ndihmën e Hashim Thaçit, për Hashim Thaçin, do të ketë jetë aq sa ai dëshiron dhe është e varur nga votat e Listës Serbe, rrjedhimisht Beogradit. Një qeveri të ngjashme, para tre vjetësh Isa Mustafa e quante “të mjerë”. Mjerimi s’paska kufij.
Imer Mushkolaj
Duhet të kesh një zor të madh që t’i shkosh dikujt në shtëpi, në orën një pas mesnate. Për më tepër të shoqërohesh gjatë vizitës nga një rival yti politik, me të cilin vazhdimisht shkëmben akuza. Por, për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj është fort e zakonshme që t’i shkojnë në shtëpi një deputeti, siç është Hashi Shala i Nismës Socialdemokrate, për t’ia mbushur mendjen që ta votojë Qeverinë Hoti. Vizita pati sukses dhe vota e Shalës ishte e 61’ta, vendimtare për ta miratuar koalicionin e brishtë qeveritar, vendimi i parë i të cilit ishte heqja e masës së reciprocitetit me Serbinë.
Në fakt, historia e krijimit të koalicionit të ri nuk nisi me mocionin e mosbesimit, të inicuar nga LDK’ja. Historia është shumë më e hershme, që nga futja me çdo kusht në Kuvend e Nismës Socialdemokrate.
Nuk ishte e rastësishme as zvarritja me muaj e krijimit të koalicionit VV-LDK, e as iniciativa për mocion pas 51 ditësh bashkëqeverisjeje. Gjithçka duket të jetë zhvilluar sipas një skenari të protagonistëve kryesorë, Thaçit e Isa Mustafës, por edhe me ndihmën e të tjerëve. Kriijimi i qeverisë së re është përfundim logjik i një plani dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Kryeministri Avdullah Hoti në ekspozenë e tij në Kuvend përmendi si prioritete të qeverisjes së tij luftën kundër pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë. Por, tashmë është e qartë për të gjithë se prioritet mbi prioritete për këtë qeveri do të jetë arritja e marrëveshjes me Serbinë. Ndryshe, nuk do të kishte kurrfarë nevojë që koalicioni VV-LDK të rrëzohej në mesin e krizës së pandemisë dhe duke lënë qeverinë në detyrë në një situatë mjaft të rëndë.
Lidhja Demokratike e Kosovës mund të jep arsyetime çfarë të dojë, por qeveria që tash po e udhëheq është një qeveri e krijuar për Hashim Thaçin dhe me ndihmën e Hashim Thaçit.
Qeveria që e udhëheq Hoti nuk është asgjë më shumë se një qeveri e krijuar për t’i dhënë edhe njëherë mundësi Thaçit që të jetë në krye të procesit për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, gjë që e kishte të pamundur gjatë Qeverisë Kurti. Madje, edhe në programin qeverisës, çështja e dialogut është e përfshirë ndryshe krahasuar me programin e koalicionit paraprak.
* * *
Presidenti Hashim Thaçi do të jetë autoriteti që do ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë. “Palë negociuese në dialog do të jetë Qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”, thuhet në programin e Qeversië Hoti. Ndryshe nga programi i Qeverisë Kurti, në të cilin thuhej: “Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues, i cili raporton në Kuvend në baza të rregullta për procesin e dialogut”.
Tashmë është e qartë se nxitimi për krijimin e qeverisë së re nuk ka të bëjë fare as me rimëkëmbjen ekonmike, as me pandeminë, por me dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë. Po të ishin aq të ndjeshëm për pandeminë dhe jetën e qytetarëve, ata që votuan rrëzimin e qeverisë nuk do të vepronin ashtu në një situatë të paqartë dhe të vështirë.
Pavarësisht intepretimeve të krerëve të LDK’së dhe përpjekjeve për të relativizuar të vërtetën, ajo që tashmë shihet qartazi është varësia e koalicionit nga votat e Listës Serbe. Kundër kësaj mënyre të qeverisjes, me fuqi kaq të madhe të subjektit politik që është “dorë e zgjatur” e Beogradit, para dy e tri vjetësh reagonin edhe Avdullah Hoti, edhe Isa Mustafa.
“Mjerë ajo qeveri e cila mbetet peng i dy, tre apo katër deputetëve ose peng i 10 deputetëve të Listës Serbe, të cilët nesër, kur të duan hyjnë në sallë dhe kur të duan e lëshojnë sallën dhe asnjë ligj nuk mund të procedohet në Kuvend, në qoftë se nuk marrin pjesë në votimin e atij ligji 61 deputetë”, thoshte Mustafa në vitin 2017.
Tash ai ka “harruar” çfarë ka thënë dhe e quan të guximshëm vendimin e qeverisë së re për të hequr reciprocitetin me Serbinë. Ndërkohë që AAK voton kundër, si për ta vulosur gjithë hipokrizinë e vet – dikur me procesin e demarkacionit, e tash me taksën e reciprocitetin. Njësoj si dhe kryeministri i ri, i cili votonte programin qeverisës VV-LDK që parashihte zëvendësimin e taksës me reciprocitet dhe pastaj menjëherë dilte kundër asaj që LDK kishte votuar.
* * * Qeveria Hoti do të ketë jetë aq sa dëshiron Hashim Thaçi dhe do të bjerë kur atij nuk do t’i nevojitet më. Krerët e LDK’së me vetëdije janë bërë pjesë e kësaj loje, e cila nuk dihet si do të përfundojë.