Rama zemëron gjithë shqiptarët, por merr lëvdatat e serbëve: Lider me kurajo, po del edhe kundër BE!

Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar zemërimin e gjithë shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë për sulmin që i bëri Kosovës gjatë samitit të minishengenit rajonal. Shumica e qytetarëve dhe politikanëve shqiptarë e kanë cilësuar qëndrimin e tij si tradhti ndaj interesave kombëtare.

Të vetmit që po e mbështesin kryeministrin Edi Rama janë liderët serbë dhe kjo shpjegon edhe se kush përfiton realisht nga projekti i minishengenit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka quajtur tepër kurajoz qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në mbështetje të planit rajonal të ashtuquajtur “mini-Shengen”. Sipas tij, vendet europiane po ngurrojnë ta përkrahin dhe mund ta devijojnë atë, edhe pse përfitimet për vendet e rajonit janë të qarta. Në një intervistë për televizionin serb “O2”, kryeshtetari serb tha të hënën se qarqet europiane janë hezituese ndaj projektit më të ri ballkanik. “Atyre nuk u pëlqen që Ballkani po sheh punën e vet, e kanë të vështirë kur nuk vendosin dot për ne. Por nga ana tjetër as nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt sepse iniciativa është pjesë e katër lirive dhe vlerave që përbëjnë Bashkimin Europian, dhe që janë e drejta e lëvizjes së lirë të njerëzve, e kapitalit, e shërbimeve dhe e produkteve,” deklaroi Vuçiç.

Sipas tij, sapo të gjitha vendet e rajonit të ndërgjegjësohen për nismën, përfitimet do të jenë të padiskutueshme dhe miliarda dollarëshe. Në këtë këndvështrim ai rezervoi disa fjalë të mira edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. “Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull gjenocidal. Por kjo është politika e tyre. Rama, për nismën e Shengeni të vogël, ka treguar kurajë të rrallë,” shtoi Vuçiç.

Fakti që një politikan shqiptar po e mburrin më shumë serbët sesa shqiptarët për minishengenin tregon shumë për prapaskenat që po luhen pas kësaj marrëveshje. Në deklaratën e Vuçiç, veç elozheve për Edi Ramën që po “përballet” me shqiptarët, ka dhe një të dhënë tjetër shqetësuese. Vuçiç pranon se një pjesë e BE nuk e sheh me sy të mirë këtë marrëveshje. Por nëse vet shqiptarët në Kosovë nuk e përkrahin këtë projekt dhe një pjesë e vendeve të BE nuk e mbështesin, kush është interesi i Shqipërisë në këtë histori? Deri tani nga marrëveshje kemi marrë vetëm mbështetjen e Serbisë dhe institucionalisht kemi përkeqësuar marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe shtetit të Kosovës. Kaq mjafton për të kuptuar se qeveria “Rama” ka bërë një akt mëse të gabuar.

SHKARKO APP