Ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare në rend dite, mblidhet sot Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot në orën 15:00, ku në rend dite janë pesë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Dy prej këtyre marrëveshjeve lidhen drejtpërdrejt me Planin e Rritjes së Bashkimi Evropian për rajonin.
Një ndër pikat kryesore është Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që ka të bëjë me aranzhimet për zbatimin e mbështetjes financiare të BE-së për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Kjo marrëveshje synon të përshpejtojë reformat dhe të forcojë zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare.
Në shqyrtim do të jetë edhe Projektligji nr. 10/L-003, i cili parashikon ratifikimin e një marrëveshjeje financimi për programin e parë të politikave zhvillimore që fokusohen në rritjen e efektivitetit fiskal, përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe nxitjen e rritjes së gjelbër. Kjo marrëveshje është arritur ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin nr. 10/L-005 për ratifikimin e një marrëveshjeje kredie me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Kompas”, që synon një qasje gjithëpërfshirëse në forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Një tjetër pikë është Projektligji nr. 10/L-006, që parasheh ratifikimin e marrëveshjes për projektin mbi edukimin në fëmijërinë e hershme dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Në fund, në rend dite është edhe Projektligji nr. 10/L-004 për marrëveshjen e kredisë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, ndërmjet BE-së, Kosovës dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës si agjente e huamarrësit.
KOHA JONË SONDAZH

