“Refuzoja ta lija asgjë nën dorë të rastësisë”, djali i Kadri Veselit rrëfen momentet para aktgjykimit në Hagë
Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në aktgjykimin e shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator.
Në rrëfimin e tij, Klestor Veseli ka ndarë me ndjekësit momentet para dhe gjatë shpalljes së vendimit, duke treguar për qëndrimin pranë familjarëve në natën para aktgjykimit.
“Natën e 15 shtatorit, ia arrita të fle gjumë, por jo të pushoj. Atë natë kisha shkuar të shoh axhallarët e mi, të përqafoheshim fort dhe të mundoheshim t’ua japim një farë force e kurajo përballë asaj që na priste nesër”, ka shkruar ai.
Veseli ka treguar se familja kishte ruajtur optimizmin, por ishte përgatitur edhe për çdo mundësi.
“Ne ishim optimistë dhe pozitivë, por refuzoja ta lëja asgjë nën dorë të rastësisë, doja të ishim të përgatitur për gjithçka”, ka shkruar Klestor Veseli.
Në postimet e tij, ai ka përmendur edhe figurën e Adem Jasharit, duke e lidhur rrëfimin me historinë e shqiptarëve dhe periudhat e burgosjeve politike në ish-Jugosllavi.
Klestor Veseli ka rrëfyer gjithashtu momentet e mëngjesit të 16 shtatorit, kur së bashku me familjarët u nis drejt Gjykatës Speciale në Hagë.
“Një natë më herët i kisha kërkuar hotelit të aranzhonte një taksi që të na dërgonte në drejtim të Gjykatës. Në mëngjes, gjatë rrugës po shihja jashtë dritares së automjetit makinat e ndryshme me tabela të huaja, por që ishin shqiptarë tanë”, ka shkruar ai.

KOHA JONË SONDAZH

