Rikthimi i Brigadave famëkeqe serbe 63 dhe 72, kërcënim për Kosovën dhe Shqipërinë

Shefi i diplomacisë së Kosovës në largim, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas njoftimit të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin për kthimin e statusit të Brigadës 63 Parashutiste dhe 72 të Forcave Speciale serbe, duke thënë se të dyja këto brigada kanë kryer krime të tmerrshme në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Por autoritetet politike dhe ushtarake serbe duhet përkujtuar se me këto veprime provokative nuk mund të kultivohet asnjëherë praktikë e marrëdhënieve të mira dhe konstruktive fqinjësore.

Andaj reagimi i shefit në largim të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, po konsiderohet gjest i vonuar, që i ngjanë më shumë një marketingu politik, sesa një hapi të rëndësishëm për Kosovës që do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë.

Analistët vlerësojnë se me këtë fakt, diplomacia e jonë ka treguar edhe njëherë, se ajo ishte një diplomaci e dobët karshi Serbisë, kur kishte aq shumë fakte për të dëshmuar kundër saj. Pos kësaj, Kosova pësojë edhe humbje, duke e marrë parasysh edhe tërheqjen e njohjeve të saj, dhe mos pranim në asnjë strukturë ndërkombëtare.

Sipas tyre, Serbia, ka tentuar dhe tenton çdo herë që ta provokoj Republikën e Kosovës, me deklarata destruktive dhe me veprime të shëmtuara, të cilat janë në dëm të subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Mehazi: Qeveria serbe sikur përgatitet për një ofensivë ushtarake kundër Kosovës

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë pas rikthimit të statutit të Brigadës famëkeqe 63 Parashutiste dhe 72 të Forcave Speciale nga ana e Ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, çdo gjë është e qartë nga qeveria serbe.

Sipas tij, qeveria serbe, jo që s’është e gatshme për dialog me Kosovën, por sikur përgatitet për një ofensivë ushtarake kundër saj, të ringjallesh brigadat që kanë bërë krime të tmerrshme e të palogjikshme ndaj popullatës së pambrojtur të Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.

“Kjo është e pa tolerueshme, e turpshme dhe shumë e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, po edhe për shengenin e vogël të Edi Ramës, po dhe e rrezikshme për tërë Ballkanin. Ringjallja e këtyre brigadave vlen edhe për kryeministrin e Shqipërisë që të vetëdijesohet e mbushet me mend për t’u larguar sa më shpejt nga Serbia vrastare e Vuçiqit e të reagonte ashpër ndaj qeverisë serbe. Pikërisht, këto brigada konsiderohen si sulme më të madha politike serbe kundër Kosovës, janë këto dy brigadat famëkeqe të cilët vetëm në Gjakovë kanë vrarë 350 civilë shqiptarë. Kjo tregon mentalitetin e qeverisë vrastare serbe”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Ai konsideron se reagimi i Ministrit të Punëve të Jashtme në largim, Behgjet Pacollit duhej të ishte i dy anshëm, së pari të reagonte te ideatori i minishengenit Rama, e pastaj te “vëllai” i Ramës, Vuçiqi, për rrezikshmërinë e ringjalljes së dy brigadave vrastare serbe.

“Simbolika politike e rikthimit të Brigadës 63 Parashutiste dhe të 72 të Forcave Speciale është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë e Edi Ramës. Qeveria e Kosovës në largim jo që duhet reaguar me notë proteste në ambasadat evropiane e amerikane, por, edhe me argumentet e të vrarëve shqiptarë nga brigadat vdekjeprurëse serbe”, është shprehur njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

Mulliqi: Është shumë e habitshëm mos reagimi i institucioneve të Kosovës

Analisti politik Skender Mulliqi, ka pohuar se kthimi i statusit të Brigadës 63 Parashutiste dhe 72 të Forcave Speciale serbe nuk është për të na çuditur fare, meqë dihet së edhe kjo garniturë në pushtetin e Serbisë, madje kur dihet që shumica janë eksponent të Milosheviqt, që kanë kryer krime te rënda në Kosovë.

“Ajo çfarë më duket e shumë e çuditshme është se si udhëheqjet tona, heshtën që 20 vite duke mos bëre asnjë hap konkret për arrestimin e kriminelëve serbë, së pari duke mos deponuar materialin më bollëk për gjenocid pranë Gjykatës për Krime të Luftës në Hagë, sa ajo ishe në funksion. Dhe, e gjithë kaloi në heshtje pas luftës edhe nga UNMIK, EULEX dhe organet tona relevante. Pas 20 vitesh të vonuara ju ka ra ndërmend strukturave tona politike, që të ngrenë padi ndaj kriminelëve serbë. Gjykatat serbe kanë dënuar disa individ jo shumë të rëndësishëm për krimet në Kosovë, për ti zbritur ato në shkallën më të ulët”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, gjykatat tona asgjë nuk bënë, asnjë nismë deri më sot, që të kapën këta kriminelë, të paktën ata që po shëtisin lirshëm në vendin tonë.

“Këta njerëz madje që kanë marrë pjesë në masakrat e Kosovës, janë duke u ulur edhe në një tavolinë të bisedimeve ,ose që kanë qenë edhe pjesë e institucioneve tona, që është presedan i llojit të vet. Reagimi i Pacollit, jo që është i vonuar, por më shumë ngjanë në marketing politik, tash kur Pacolli është ministër në detyrë. Diplomacia e jonë ishte e dobët krejt pas luftën, por pa dyshim së më e dobëta u tregua kjo më Pacollin në krye të saj. Kosova pësojë debaklle , pamë tërheqje të njohjeve dhe mos pranim në asnjë strukturë ndërkombëtare. Është shumë e habitshëm mos reagimi i institucioneve te Kosovës, për ato që ia bënë Kosovës në vitet 1998-1999 serbet. Dikoviqi është vetëm një, ka shumë të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe disa me të cilët zyrtarët e Kosovës takohen, bisedojnë e negociojnë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi”, është shprehur analisti politik Skender Mulliqi.

Ai konsideron se, kështu vijnë punët kur behën “harresa” të tilla shumë të kushtueshme për shtetin e Kosovës dhe kombin përgjithësisht.

“Sigurisht se e ardhmja e shtetit ndërtohet duke mos e harruar të kaluarën. Nuk do mend se harresa e bën më të lehtë arritjen e kompromiseve politike, sikur qe ishin këto të Brukselit. Kjo është pse Bashkësia Ndërkombëtare, në kërkim të zgjidhjeve të shpejta politike në Ballkan, kërkon që të shikohet nga e ardhmja, duke e harruar të kaluarën. Bisedimet që pritën të vazhdohen ishte dashur të kushtëzohen jo vetëm më pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por të kushtëzohen edhe më formimin pse jo të një Gjykate Speciale për krimet serbe siç e bën këtë gjykatë për Kosovën pa të drejtë. Me hajnat dhe kriminelet e të kaluarës që sot gjenden në pushtetin e Serbisë, nuk ka mundësi të garantohet e ardhmja në Ballkanin Perëndimor, dhe as paqja e përhershme shqiptaro –serbe”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Berisha: Serbia duhet ta kuptoj se vetëm përmes njohjes dhe respektit të ndërsjellë,mund të vihen ura të përbashkëta komunikimi dhe bashkëpunimi

Ndërsa, analisti politik Ejup Berisha konsideron se, me Republikën e Serbisë Republika e Kosovës duhet të bisedojë për çështje të interesit të ndërsjellë si dy shtete sovrane dhe të pavarura dhe atë për njohjen e ndërsjellët të sovranitetit.

Sipas tij, duhet doemos të bisedohet subjektivitetit dhe integritetit territorial, dhe çështja e personave të zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës së fundit të nxitur padrejtësisht nga Serbia në Kosovë.

“Nuk duhet harruar biseduar edhe për çështjen e statusit të pakicës shqiptare që jeton në Serbi dhe për çështjen e pakicës serbe e cila jeton në Kosovë por edhe për çështjen e vendosjes së bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimeve tjera mes dy shteteve. Subjektet fqinje shtetërore duhet të zhvillojnë dialog serioz dhe të përhershëm mes vete për të gjitha çështjet që i tangojnë të dyja subjektet shtetërore. Të gjitha kontestet dhe mosmarrëveshjet me shteteve çdo herë duhet të zgjidhen me bisedime dhe me dialog e jo me konfrontime dhe me luftë.”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai më tutje ka shtuar se pas kohe Republika e Serbisë, ka tentuar dhe tenton që ta provokojë Republikën e Kosovës, me deklarata destruktive dhe me veprime që janë në dëm të subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

“ Prandaj do të vlerësoja se bisedimet dhe kontaktet e ndërsjella duhet të vazhdojnë të zhvillohen me qëllim të tejkalimit më efikas të çdo mosmarrëveshjeje që ekzistojnë një kohë të gjatë mes Serbisë dhe Kosovës. Më mirë është që të prezantohen dëshmi fakte dhe argumente për çdo mosmarrëveshje që e pengon dhe e frenon pajtimin dhe bashkëpunimin mes dy shteteve tona sesa të konfrontohemi përherë kot sepse e tashmja dhe e ardhmja e sigurte dhe e përparuar varet nga dialogu dhe bashkëpunimi e jo nga mosmarrëveshjet dhe konfrontimet. Elita politike serbe provokimet i bën për arritjen e efekteve politike brenda Serbisë sesa që ato kanë ndonjë efekt tjetër jashtë saj”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, veprimet e fundit të autoriteteve ushtarake serbe me rikthimin në funksion të formacioneve famëkeqe ushtarake parashutiste serbe të njohura me numrat 63 dhe 72 të cilat fatkeqësisht kanë kryer krime të tmerrshme lufte në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë fillim viteve dhe fund viteve 90 të shekullit të kaluar, duhet kuptuar si një provokim të radhës të kreut ushtarak serb në rajon.

“Vlerësoj se reagimi edhe i Republikës së Kosovës dhe i Bosnjë e Hercegovinë duhet të jetë i vendosur dhe i fuqishëm ndaj këtyre provokimeve. Autoritetet politike dhe ushtarake serbe duhet përkujtuar se me këto veprime provokative nuk mund të kultivohet praktikë e marrëdhënieve të mira dhe konstruktive fqinjësore. Mendoj se bisedime apo dialog duhet të ketë mes Kosovës dhe Serbisë për të shikuar se si dy shtetet të fillojnë të bashkëpunojnë mes vete sesa të përsëriten praktikat e mëhershme të konflikteve përleshjeve dhe konflikteve të armatosura nga të cilat të dyja shtetet e kanë pësuar shumë keq në të kaluarën e afërt”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai ka deklaruar se, Serbia duhet ta kuptojë realitetin se vetëm përmes njohjes dhe respektit të ndërsjellë mund të vihen ura të përbashkëta komunikimi dhe bashkëpunimi.

“Megjithatë për ta arritur këtë nga Republika e Serbisë duhet të kërkohet që ti ndalojë provokimet e saja tendencioze dhe qëllimkëqija si dëshmi se ajo ka pastruar me të kaluarën e saj konfliktuale dhe luftënxitëse. Kontribut për dialog serioz dhe të mirëfilltë duhet të japë edhe Republika e Serbisë thuhet se për të lozur tango duhen dy vetë”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

Botasot.info

SHKARKO APP