Rreziku i armatimit të Serbisë, Kosova i druhet agresionit në rritje të fqinjëve
Institucioneve kosovare u kërkohet të rrisin investimet në infrastrukturën e mbrojtjes dhe të lobojnë për t’u futur nën ombrellën e NATO-s, për t’i bërë ballë agresionit ushtarak serb.
Në fundin e tetorit, shteti serb njoftoi se ka marrë si donacion nga Rusia 6 aeroplanë luftarakë MiG-29, 30 automjete të blinduara dhe tanke moderne që mund të lëshojnë predha antiblindë deri 5 mijë metra distancë.
Nuredin Ibishi, njohës i rrethanave të sigurisë, mendon se furnizimi me këto armë e bën Serbinë një kërcënim fillimisht për Kosovën por edhe për vendet tjera që nuk i kanë raportet e mira me të.
“E kemi një disbalancë të forcave në rajon sidomos me një rritje të madhe më shumë se 1 miliardë kohët e fundit që i kanë deklaruar investime në armatim dhe në pajisje luftarake që e bëjnë Serbinë të jetë kërcënues për fqinjët në rend të parë për Kosovën por edhe vendet tjera që nuk kanë raporte të mira. Është një përparësi e jona që ne kemi prezencën ndërkombëtare KFOR-in këtu dhe normal dhe tendencat tona apo kërkesat tona që e kemi FSK-në si forcë të armatosur duhet të jemi edhe në aspektin politik dhe funksional të përshpejtojmë procedurat që të integrohemi në NATO dhe kur nën këtë nën ombrellë jemi shumë më komod. Me gjithë këtë arsenal armatimi rrezikon edhe Kroacinë dhe vendet tjera që janë në rajon dhe realisht kjo është një shtytje e jona që ne jemi më të përgatitur edhe politikisht edhe në aspektin funksional.”
Për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, pajisja e Serbisë me infrastrukturë ushtarake po bëhet me qëllimin që shteti serb të jetë lider në rajon me fuqinë ushtarake.
“Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e atakon edhe sigurinë e vendit sepse ne me Serbinë kemi shumë çështje për të biseduar sepse shteti serb nuk na njeh si shtet i pavarur dhe demokratik ka pretendime territorial mbi Kosovën. Kjo mua më lë të nënkuptoj se shteti serb ka interesa të drejtpërdrejta që ta destabilizojë Kosovën përmes ndonjë intervenimi jo klasik, por përmes një intervenimi të strukturave paralele që veçse i ka në Kosovë përmes aktivizimi i grupeve paramilitare, ushtarake të cilat ishin përdorur edhe në Krime nga ana e Rusisë. Sepse Serbia është duke e marr edhe si model Krimenë për të bërë ndonjë plan të invazionit klasik sa i përket intervenimeve në Kosovë“, theksoi ai.
Shala thotë se Kosova krahas rritjes së investimeve në ushtri, duhet të bëjë presion përmes NATO-së dhe shteteve mike që Serbia të mos i përdorë këto armë.
“Në arenën ndërkombëtare në kanalet diplomatike të kërkoi nga NATO-ja nga shtetet mike që të bëjë presion të vazhdueshëm që këto armatime të mos përdoren përmes sanksioneve të ndryshme ekonomike dhe të tjera, por në aspektin e brendshëm Kosova duhet t’i ndal investimet në infrastrukturën rrugore. Pra, duhet të fokusohemi dhe të kthemi kah investimi kah mbrojtja kolektive sepse Kosova është duke qaluar në këtë aspekt. E kemi një plan gjithëpërfshirës 10 vjeçar të FSK-së dhe forcave të armatosura por ky plan duhet të modifikohet dhe tu përshtatet zhvillimeve aktuale të rajonit. Duhet të shkurtohet duhet një buxhet jashtëzakonisht më i madh.”
Serbia mendohet se disponon gati 30 mijë forca ushtarake aktive, edhe pse të dhënat mbeten konfidenciale, ndërsa personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës vlerësohet 6-fish më i vogël.
Donacioni i armatimeve që Beogradi ka marrë nga Rusia është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, arriti me Ministrinë rus të Mbrojtjes, në vitin 2016.