Serbia do njohë pasaportat kosovare, Abrashi: Nisma e mini-Shengenit do heqë barrierat në kufi

Marrëveshjet që Kosova dhe Serbia arritën më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë nuk i afruan dy palët vetëm ekonomikisht, por pritet të kontribuojnë edhe në njohjen e Kosovës nga Beogradi. Udhëtimi vetëm me pasaporta kosovare mes vendeve pritet të bëhet realitet së shpejti.

Pas mini-Shengenit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, shqiptarët e Kosovës do mund të përdorin vetëm pasaportën kosovare për të fluturuar me linjën e re ajrore Prishtinë-Beograd.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, thotë se janë intensifikuar bisedimet dhe në to janë ofruar edhe kompani serioze të huaja, si gjermania “Lufthansa”.

Avancime të tilla po bëhen në kuadër të zotimeve të marra këtë muaj nga shtetarët e Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar raportet tregtare mes vendeve.

“…Ka iniciativë që të udhëtohet nëpër regjion vetëm me letërnjoftime ose të hiqen edhe të gjitha barrierat dhe pengesat që ekzistojnë nëpër cilindo kufij, … edhe nga Beogradi në të ardhmen udhëtohet me pasaporta të Kosovës, që do të thotë se do ta njohin shtetin e Kosovës.”

Pas marrëveshjes së 4 shtatorit të dakordësuar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia ditë më parë nënshkruan edhe letrat e interesit për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes” Besi-Merdarë, si njëra ndër pikat e akordit ekonomik.

Ministri Abrashi pret që segmenti rreth 27 kilometra i gjatë të kushtojë 250 milionë euro, ndërsa për hekurudhën Prishtinë-Nish, projekti duket më i komplikuar por sërish i realizueshëm.

“Është një tunel që kërkon të rehabilitohet edhe ka kosto të madhe ai rehabilitim. … do të shohim edhe një herë nëse kjo është traseja e duhur, ose të ndryshohet traseja në hyrje dalje të Prishtinës. Besoj që edhe këtë projekt do ta realizojmë në afat rekord.”

Një tjetër projekt gjeostrategjik në planin afatgjatë mbetet zgjatimi i hekurudhës me Shqipërinë, që do i siguronte Kosovës dalje në Adriatik.

“…Me autostradën për Merdare, e cila lidhë korridorin trans-evropian dhe me këtë hekurudhë që synohet me u ndërtua viteve në vijim me portin Adriatik, Kosova bëhet një nyje fuqishme e lidhjeve kryesore për Ballkanin dhe për Evropën Qendrore.”

Në fillimin e muajit në Uashington, kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, biseduan edhe për projekte të tjera infrastrukturore që do gjeneronin vende të reja pune.

Qeveria kosovare synon që në katër-pesë vitet e ardhshme vendi të bëhet nyjë strategjike e hekurudhave, e autostradave dhe gazsjellësit duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik.

SHKARKO APP