Serbia e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, por me një kusht

Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet nëse aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun dypalësh, i tha të mërkurën presidentit, Aleksandër Vuçiç, se ka ardhur momenti për hapa konkretë.

“Statukuoja nuk është më zgjidhje e qëndrueshme. Shtetet anëtare presin që dialogu të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.“- thotë Lajçak.

Presidenti Vuçiç tha se Serbia është e gatshme për dialog por kërkon si përfundim, kompromisin.

“Mendojmë se marrëveshje kompromisi do të thotë: askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm. Pa ultimatume e pa zgjidhje të detyruara.”- thotë Vuçiç

Vuçiç tha se pozicioni i Beogradit për pavarësimin e Kosovës mbetet i pandryshëm.

“Nëse dikush mendon të na thotë se ju tani duhet ta pranoni Kosovën e pavarur, kjo s’ka për të ndodhur. E mendojnë më kot se duke na bërë presion, ne serbët do u japim gjithçka që duan.”– shton ai.

Lajçak, shtoi se vizitat e tij të fundit u koordinuan me Amerikën, por i dërguari i saj për Ballkanin, Methju Palmer, nuk mundi të marrë pjesë.

Diplomati sllovak udhëtoi drejt Serbisë pas qëndrimit në Kosovë, ku, ndër të tjera, takoi të parin kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, njëherësh kandidatin kryesor për kryeministrinë e Kosovës.

Kurti deklaroi se dialogu me Serbinë nuk do të jetë ndër prioritetet e para të qeverisë së tij.

SHKARKO APP