Serbia të pranojë pa kushte Kosovën e pavarur

Nga Koço Kokëdhima –

Bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë tregojnë angazhimin e SHBA-ve për një marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve.

Por nuk është e mirëpritur asnjë zgjidhje që bazohet në pazare me trojet dhe pasuritë e Kosovës. Serbia duhet të pranojë pa kushte Kosovën si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik si dhe të ndalë fushatën agresive të pengimit të njohjeve nga shtetet anëtare të OKB-së.

Idea e ‘boshnjakëzimit’ të veriut të Kosovës përmes një autonomie të zgjeruar të pakicës serbe, përbën një cenim të rëndë të integritetit territorial dhe sovranitetit të saj, po aq sa teza e rrezikshme dhe antikombëtare e ndryshimit të kufijve dhe e shkëmbimit të trojeve shqiptare me troje shqiptare.

Pasuritë e Kosovës nuk janë plaçkë pa zot për t’u ndarë në tavolinë, siç pretendon Serbia. Miniera e Trepçes, Ujëmbledhësi i Ujëmanit dhe disa rezerva të rralla e të çmuara minerare të Kosovës janë asete strategjike të shqiptarëve për zhvillimin ekonomik, mirëqenien dhe sigurinë e tyre.

Pa njohjen e Kosovës, nuk ka për të patur përparim as në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Beogradi dhe Prishtina nënshkruan marrëveshje për rifillimin e fluturimeve, transportit hekurudhor dhe ndërtimin e një autostrade, megjithatë Serbia u bë edhe më agresive për pengimin e Kosovës në rrugën e saj si shtet i pavarur.

SHKARKO APP