SHBA: Qëndrimi ynë për Kosovën nuk ndryshon. Jemi miqtë tuaj
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie tha sot vendi i tij është një nga miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës. Dh kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.
Ai i bëri këto komente gjatë prezantimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Prishtinë. Komentet e ambasadorit Delawie, pasojnë shkrimet e ndryshme në ditëve të fundit në Serbi që thonë që flasin për ndryshim të qasjes së administratës amerikane ndaj Kosovës. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga miqtë më të afërt dhe mbështetës të Kosovës, pavarësisht atë që mund të lexoni në media, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ambasadori Delawie duke nënvizuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është i thellë dhe shumë dimensional.
Shkrimet për ndryshimin e qasjes amerikane ndaj Kosovës përkuan me periudhën e hapjes së diskutimeve rreth rrugëve për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilat janë hedhur ide që përfshijnë ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se ai angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Serbia është zotuar se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin, tha të premten se një zgjidhja e përhershme e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të jetë realiste dhe e qëndrueshme. “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka për qëllim nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’iu ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën drejt Evropës, përmirësimin e jetëve të popujve të tyre. Zgjidhja përfundimtare nënkupton një zgjidhje të përhershme, nënkupton një zgjidhje realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai. Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve.
“Zëri i Amerikës”