Shifrat më të fundit nga Kosova, konfirmohen 82 raste pozitive, të infektuar në shumë institucione

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë testuar gjithsej 456 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste me coronavirus.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 41, komuna e Gjakovës 14 raste, komuna e Vushtrrisë 7 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Ferizajit 3 raste, komuna e Vitisë 3 raste, komuna e Podujevës 2 raste, komuna e Fushë Kosovës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Klinë, Lipjan, Obiliq, Mamushë dhe Rahovec.

Po ashtu sot janë shëruar 7 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 980 raste.

Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.

Sipas institutit nga data 08 shkurt deri më 19 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 20.662 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.998 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHPK thotë se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

SHKARKO APP