Shqipëria krah Kosovës, Hoxha: Nuk tolerojmë asnjë kërcënim ndaj sigurisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku në një deklaratë të përbashkët me homologun kosovar, Glauk Konjufca, theksoi se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në histori të përbashkët, interesa strategjike dhe synime të përbashkëta euroatlantike.
Hoxha u shpreh se zhvillimet në Kosovë kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe se përparimi i të dy vendeve ecën paralelisht. Sipas tij, Tirana do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në organizata si Këshilli i Evropës dhe UNESCO, të cilat do të ndihmonin në forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan për rritjen e bashkëpunimit diplomatik, koordinimin mes institucioneve të të dy vendeve dhe zhvillimin e projekteve konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Hoxha theksoi se bashkëpunimi duhet të përkthehet në më pak burokraci, më shumë efikasitet dhe iniciativa me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik e social.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës iu kushtua integrimit evropian të Kosovës dhe dialogut me Serbinë. Ministri shqiptar vlerësoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një mundësi për të përshpejtuar reformat dhe për të forcuar standardet demokratike. Ai ritheksoi mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga më e mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në fushën e sigurisë, Hoxha theksoi rëndësinë e rolit të NATO-s dhe KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai deklaroi se Shqipëria nuk do të tolerojë asnjë kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës dhe do të qëndrojë gjithmonë në krah të institucioneve dhe qytetarëve të saj. Gjithashtu, ai përmendi nevojën për forcimin e lidhjeve infrastrukturore, energjetike dhe ekonomike mes dy vendeve, duke përfshirë projekte strategjike si hekurudha Durrës–Prishtinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.
KOHA JONË SONDAZH

