Skandali i përdhunimit të nxënëses në Kosovë, ngrihen akuzat për gjashtë personat

Prokurorët kosovarë kanë ngritur akuzat për gjashtë persona për rastin e përdhunimit të adoleshentes që shokoi opinionin publik.

Adoleshentja u abuzua seksualisht nga një mësues dhe një oficer policie 2 vite më parë në moshën 16 vjeçare.

Prokuroria e hapi si çështje pas raportimit nga media kosovare Insajder.

Policia kosovare njoftoi në shkurt të këtij viti se arrestoi një oficer të policisë, një mësues dhe një gjinekolog i cili kreu abortin e vajzës në mënyrë të paligjshme.

Çështja e përdhunimit u publikua fillimisht nga Insajderi, gjë që shkaktoi protesta për të drejtat e grave përpara Drejtorisë së Policisë në Prishtinë.

Të mërkurën prokurorët thanë se të gjashtë të dyshuarit u akuzuan se kishin lidhje me çështjen e përdhunimit të 16 vjeçares.

Ato akuzohen “nën dyshimin e abuzimit seksual si dhe të shpërdorimit të detyrës”.

Denoncoi mësuesin për abuzim, e përdhunon edhe polici

Në shkurt të këtij viti, në Kosovë shkaktoi jehonë të gjerë një lajm i publikuar se një vajzë e mitur ishte abuzuar seksualisht fillimisht nga mësuesi i saj dhe më pas nga polici ku ajo kishte kërkuar ndihmë.

Ngjarja dramatike ndodhi në zonën e Drenasit. Efektivi i policisë që akuzohet për abuzimin me adoleshenten ishte zëvendësshefi i hetimeve i Policisë në këtë komunë, Vesel Veseli.

Historia bëhet edhe më e rëndë pasi polici ka abuzuar dy vite me  adoleshenten, e madje e ka lënë edhe shtatzënë, duke e detyruar atë të  abortojë. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në  ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.

Veseli e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin  policor në Drenas për ta denoncuar mësuesin e saj për marrëdhënie  seksuale me dhunë. Viktima ishte nën moshën 16 vjeçare.

Që prej asaj dite, për vajzën nisi një periudhë tjetër e rëndë e  abuzimit dhe dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual.  Për rastin,  më 7 shkurt u zhvillua një protestë në Prishtinë.

Si nisi historia e tmerrit për vajzën nga Drenasi?

Më 14 shtator 2016, hetuesi V. V., ishte në detyrë në Drenas. Aty ishte shfaqur një vajzë e mitur për të denoncuar një vepër penale të keqpërdorimit seksual duke përdorur pozitën zyrtare. Keqpërdoruesi ishte arsimtari i saj, Sh. Xh, shkruan “Insajder”, që publikoi lajmin.

Hetimi kundër profesorit ishte udhëhequr nga rreshteri V. V. i cili e kishte intervistuar viktimën, duke e dëgjuar nga ajo gjithë ngjarjen. Hetuesi e kishte fotografuar të miturën kinse për nevoja të hetimeve.

Pas intervistimit, hetuesi V.V. e bashkë me kolegun e tij Azem Demaku., e kishte shoqëruar vajzën deri në shtëpinë e saj. Shoqërimi ishte bërë afër mesit të natës. Ndërkohë, ia kishte marrë numrin e saj të telefonit.

Sipas rrëfimit të viktimës, hetuesi gjatë rrugës e kishte provokuar vazhdimisht. I kishte thënë se posa të arrinte moshën madhore do ta ftojë që të dalë me të.

Në një moment i kishte thënë: “Nuk paska pas faj profesori”.

Disa ditë pas denoncimit, V. V., e kishte telefonuar vajzën duke e ftuar të dilte për të pirë kafe në një vend që nuk do të njiheshin. Vajza kishte refuzuar.

Hetuesi i kishte thënë se ai ka tashmë fotografitë e saj, raportin e denoncimit të rastit me profesorin  dhe ekspertizën mjekoligjore. E kishte kërcënuar se nëse nuk del me të do të ketë pasoja.

Në një moment, hetuesi i kishte shkuar tek shtëpia duke ia vënë dritat e veturës në drejtim të shtëpisë.

Për të mos e marrë vesh familja e saj, viktima kishte pranuar të dalë me të. Kishin shkuar në një motel në Suharekë dhe kishin kryer marrëdhënie seksuale.

Prej asaj nate, hetuesi e kishte futur nën kontroll viktimën për të kryer marrëdhënie seksuale me të vazhdimisht. Gjatë kësaj kohe, ai e kishte ndjekur e vëzhguar secilën lëvizje të vajzës. Kishte përdorur edhe kamerat e sigurisë të vendosura në qytetin e Drenasit, për të nxjerr fotografi dhe për t’ia dërguar asaj në mënyrë që ta bindte se kishte kontroll të plotë mbi të.

Madje, viktimën kishte filluar ta përdorte për të shantazhuar biznesmenë nga Drenasi, për llogari të një biznesmeni të afërm të tij, duke marrë deklarata të rrejshme nga viktima për dhunë, e ngacmime seksuale.

Viktima ka rrëfyer se në muajin nëntor të vitit të kaluar, kishte mbetur shtatzënë pa dëshirën e saj. Kur hetuesi e kishte kuptuar se tashmë vajza po bëhej nënë, kishte filluar presionin, kërcënimet dhe viktimizimin se nëse nuk aborton do të kryej vetëvrasje.

Pas insistimit disaditor, e kishte sjell vajzën në ordinancën e mjekut më Fehmi Ahmetaj në Prishtinë më 15 janar 2019 në ora 16 e 20 minuta. Aty ishte bërë ndërprerja e paligjshme e shtatëzanisë.

Pas abortit, vajza ishte kthyer në shtëpi duke përjetuar dhimbje të mëdha dhe pa pasur mundësi mjekimi për shkak të frikës nga familja. Asgjë nga historia e saj nuk i ka treguar familjarëve.

Kishte pasur momente të luhatjes për të kryer vetëvrasje. Në një moment kishte shkuar për konsultim tek një avokat, i cili me anë të një letre anonime ka informuar Insajderin për ngjarjen.

Historia e dhunës ndaj saj ka marrë fund të martën pasdite, kur rreshteri policor është arrestuar nga kolegët e tij dhe është ndaluar për 48 orë.

Policia ia ka bastisur shtëpinë duke siguruar prova për këtë rast. Pasdite është bastisur edhe ordinanca e mjekut, Fehmi Ahmetaj në Prishtinë.

Arrestimi i tij është konfirmuar për Insajderin, nga Prokuroria e Shtetit.

/Ora News

 

SHKARKO APP