Sot, në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Edi Rama nuk duhej të heshtte

Nga Enver Robelli –
Më 15 janar 1999 forcat serbe masakruan dhjetëra civilë në fshatin Reçak të Kosovës. Regjimi serb u përpoq që viktimat t’i etiketojë si terroristë. Solli në Kosovë «ekspertë» të forenzikës nga Bjellorusia, të cilët arritën në po atë përfundim si gjykatësja hetuese serbe Danica Marinkoviq. Propaganda serbo-bjelloruse tha se shqiptarët ishin vrarë nga distanca, domethënë gjatë luftimeve me forcat serbe. Pastaj ekspertja e forenzikës nga Finlanda, Helena Ranta, kundërshtoi versionin serbo-bjellorus dhe tha se viktimat ishin vrarë nga afërsia dhe se nuk qëndronte pretendimi i Beogradit se të vrarëve pastaj u ishin ndërruar rrobat. Vite më vonë Ranta ka përsëritur se në Reçak forcat serbe kanë kryer një masakër.

Krimi masiv serb në Reçak, një ndër shumë të tjerë në Kosovë, e ndryshoi përfundimisht kursin e politikës perëndimore ndaj regjimit serb, duke u pozicionuar edhe më qartë në anën e viktimave dhe popullit shqiptar të Kosovës, të cilit po i kanosej shfarosja. Pas Reçakut u shtua presioni për një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në bisedimet e zhvilluara në Rambouillet dhe Paris në shkurt dhe mars 1999 pala serbe nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshjen për paqe në Kosovë. Ajo marrëveshje nuk ishte aq e favorshme për Kosovën, sepse parashihte që në Kosovë të mbesnin edhe më tutje mijëra ushtarë e policë serbë dhe Kosova të gëzonte një autonomi në kuadër të Serbisë, por jo më shumë. Megjithatë, pala kosovare e nënshkroi marrëveshjen duke parashikuar me të drejtë se mosnënshkrimi nga delegacioni serb do të nxiste ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndodhi më 24 mars 1999.

«Reçaku është pika kthesë në konfliktin e Kosovës». Kështu tha atëbotë ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer. Në mesin 44 viktimave janë edhe tri gra, një fëmijë dhe disa pleq. Edhe ky fakt e rrëzon tezën serbe se Reçaku ishte një inskenim i diplomatit amerikan William Walker për të provokuar ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reçaku është një plagë e madhe e historisë së Kosovës. Nga njëra anë qëndron dhimbja për viktimat, nga ana tjetër kujtimi i kësaj ngjarjeje që çoi në çlirimin e Kosovës. Dhimbjen dhe mllefin e bën edhe më të madh propaganda serbe, e cila edhe sot vazhdon të mohojë këto krime, vazhdon të manipulojë me fakte, vazhdon të fyejë dinjitetin e viktimave. Me këto sjellja udhëheqësit e Serbisë fyejnë gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Si çdo vit edhe sot nga Amerika erdhi Willima Walker për të qëndruar pranë të mbijetuarve. Ambasadat e shteteve më të rëndësishme perëndimore kujtuan mizoritë që kryen forcat serbe në Reçak. Politikanë e qytetarë të Kosovës vajtën në Reçak për të nderuar e kujtuar të vrarët. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i kujtoi me pietet viktimat.

Por një politikan heshti. Ai që heshti ishte kryeministri i Shqipërisë. Sot, në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Edi Rama nuk duhej të heshtte, por, për fat të keq, heshti, sepse si shumë politikanë shqiptarë edhe ai inatet e momentit, grindjet, fjaloset e keqkuptimet me politikanët e Kosovës i konsideron më të rëndësishme se sjelljen për burrështetasi që sheh pak më larg se te ndonjë takim rajonal. Politikanët e Kosovës (dhe të Shqipërisë) shkojnë e vijnë. Asnjëri prej tyre nuk është i përjetshëm. As ai që e plaçkit popullin, as ai që hesht kur duhet të flasë.

Edi Rama ka shumë kanale komunikimi me opinionin. Në asnjërin kanal nuk e pa të udhës të postojë një fjalë. Me këtë ai ndoshta ka menduar se po u jepte flakaresha verbale kryeministrit dhe presidentit të Kosovës. Në të vërtetë Edi Rama i lëndoi jo pak qytetarë të Kosovës. Dhe ky është gabim i madh i tij, gabim që do të zë një vend prominent si njollë në biografinë e tij politike. Ai mund të ndihet i ofenduar, sepse lukunia e patriotëve të rrejshëm kosovarë e shpalli tradhtar pas samiteve të fundit mbi të ashtuquajturin «Schengen ballkanik». Por një politikan syhapur nuk i nënshtrohet idiotëve të Facebookut. Ai sot do të duhej madje të ishte në Reçak. Bashkë me familjarët e viktimave. Do ta njihte pak më mirë Kosovën dhe do të ishte një rast i mirë ky që nga ai vend, nga sheshi me varret e njerëzve të Reçakut, t’i falënderonte mijëra kosovarë për solidaritetin e madh me Shqipërinë pas tërmetit në fund të nëntorit. Ky solidaritet do të vazhdojë përkundër faktit se Edi Rama, i hidhëruar si pasojë e banaliteteve politike mes Prishtinës e Tiranës, hesht për një masakër që ndryshoi historinë. Edhe të Shqipërisë madje. Çlirimi i Kosovës dhe më vonë shpallja e pavarësisë e bën rajonin më stabil dhe kështu u hap rruga që Shqipëria të hynte në NATO, një ndër të arriturat më të mëdha që nga viti 1912.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?