Statujat e shëmtuara, Prizrenit i kërkohet t’i heqë “Skënderbeun” 70 mijë eurosh dhe “Adem Jasharin”

Nga Shaban Maxharaj –

Gjashtë thasë çimento, rërë, poliester dhe ngjyra, janë materialet që i kanë hyrë në punë autorit të shtatores së Adem Jasharit që ta rrumbullakojë veprën. Sa u përket veglave të punës, mistria ka qenë kryesorja. Kësisoj, për tre muaj punë pas orarit të rregullt si frizer, gjakovari Alban Buxhovi ka përfunduar shtatoren prej gati tri metrash, që është përuruar të shtunën në ambientet e qendrës tregtare “Abi Çarshia” në Prizren.

Kjo shtatore bashkë me atë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut janë përuruar në të njëjtën ditë, të shtunën e 28 Nëntorit. Sapo u zbuluan, kanë nxitur alamet reagimesh publike. Shpejt është kërkuar largimi i tyre. Megjithëse njëra është në hapësirë private, është vlerësuar se nuk është bërë trajtim i denjë i heroit Adem Jashari. Autorët e dy shtatoreve, në prononcimet për KOHËN, kanë mbrojtur veprat e tyre.

Përderisa ai i shtatores së Adem Jasharit thotë se për pasion ka punuar shtazë e shpezë si skulptura dhe se nuk është skulptor, ai i së dytës e mbron veprën duke këmbëngulur se shtatorja e punuar nga ai e paraqet heroin kombëtar shumë më të ri. Por asnjëri nuk zmbrapsen. Thonë se e arsyetojnë veten.

Shtatorja për komandantin e punuar “në kohë të lirë”

Alban Buxhovi (40) thotë se ka një arsye se pse vepra e tij u kritikua fort. Sipas tij, në rrjete sociale është shpërndarë një fotografi kur shtatorja nuk ishte e përfunduar.

“Ka qenë pozitë e keqe dhe ishte fillimi kur po i provonim ngjyrat. Kam punuar gati tre muaj aty. I kam hyrë asaj pune me shumë vullnet, sakrificë dhe mund”, ka thënë ai. Ka treguar se në kohën e lirë merret me skulptura, pasi është pasionant.

Ani pse në pronë private, por fort e frekuentuar, shtatorja e Adem Jasharit i është besuar frizerit nga Gjakova, i cili këtë vepër e ka realizuar në kohë të lirë

“Pas orarit, pasi unë jam frizer, kam punuar shumë në atë shtatore. Është vlerësuar nga porositësit dhe familja Jashari. Kjo është e para që e kam punuar. Origjinal nuk kam munduar ta bëj. Origjinal vetëm Zoti e ka falur”, ka thënë Buxhovi. Sipas tij, sikur të bëhej fjalë për ndonjë hapësirë publike dhe ndonjë konkurs shtetëror, nuk do t’ia mësynte fare. Ka thënë se shuma për të cilën është punuar është simbolike.

Autori i shtatores së Skënderbeut: E kam paraqitur heroin 38 a 40 vjeç

E shtatorja e Skënderbeut ka kosto prej 70 mijë eurosh. E porositur nga shoqata “Trojet e Arbërit” është përuruar në atë që njihet si “Rrethi i Ben-afit”. Diskutimet për lokacion kanë marrë dy vjet.

Autori i veprës, Sinan Aliaj, ka thënë se reagimet janë pasojë e asaj që njerëzit janë mësuar që ta shohin Skënderbeun vetëm në versionin e skulptorit Odhise Paskali.

“Nuk është imazhi i Odhise Paskalit, por i ri. Thonë se nuk është ai Skënderbeu jonë. Por nuk kanë qenë në luftë me të ta dinë si ka qenë”, ka thënë ai. Sipas Aliajt, shtatorja e punuar nga ai e paraqet një Skënderbe më të ri. Ka thënë se heroi kombëtar është paraqitur rreth të dyzetave.

“Është 38 deri në 40 vjet në vlugun e vet të energjisë. Jam nisur nga përshkrimet e kronistëve të kohës”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk ka qenë qëllimi i tij që të nxisë reagime.

“Por ta sjelli në fizionomi të moshës dhe kohës sipas kronistëve. Shoqata që e ka marrë iniciativën ka qenë dakord me konceptin. Aty në shoqatë ka profesione të ndryshme”, ka thënë Aliaj, i cili është edhe bashkautor i shtatores së Shkëlzen Haradinajt në Pejë.

Historiani Nue Oroshi, si kryetar i shoqatës “Trojet e Arbërit”, ka thënë se janë tri elemente që kanë bërë të nxiten reagime të shumta.

“Elementi politik i atyre që për 10 vjet nuk kanë bërë asgjë në Prizren, janë erdoganistët që nuk e duan Skënderbeun në Prizren, dhe skulptorët që kanë xhelozi profesionale”, ka thënë ai. Sipas historianit mesjetar Oroshi, shtatorja e Skënderbeut në Prizren e paraqet heroin nja dhjetë vjet më të ri se në skulpturat e tjera.

“Për këtë kemi ardhur në përfundim disa kolegë që jemi historianë të Mesjetës. Unë jam historian i Mesjetës dhe kam bërë punime për Skënderbeun”, ka thënë ai, derisa ka treguar se shtatorja ka kushtuar 70 mijë euro, për të cilat mjete ka falënderuar bashkatdhetarët. Sipas tij, dy herë është refuzuar kërkesa që shtatorja të vendoset në Qendrën Historike të Prizrenit.

“Kryesia e Shoqatës bashkë me Komunën dhe skulptorin kemi vendosur për shtatoren. Është monumenti i parë unikat në Kosovë”, ka thënë ai.

Osman Hajdari, drejtor i Drejtorisë së Administratës në Prizren, ka thënë se si Komunë janë munduar që të bëjnë punën e tyre sa i përket lokacionit. “Qëllimi ka qenë shumë i mirë. Disa reagime nxiten edhe nga grupe politike. Por ne si Komunë nuk mund të vlerësojmë anën profesionale të skulpturës. Ne jemi munduar që të sigurojmë lokacionin dhe ai vend të jetë sheshi ‘Skënderbeu’”, ka thënë ai. Sipas Hajdarit, skulptori Aliaj është një person i njohur edhe për politikën lokale dhe atë qendrore. Hajdari ka thënë se hapësira do të jetë një shesh i mirë i qytetit jugor.

Kurse Evren Fusha, menaxher në “Abi Çarshia”, ka thënë se kompleksi ka vizitorë të shumtë. Sipas tij, më shumë se dy mijë veta nga e shtuna kanë bërë foto pranë shtatores.

“Ne e kemi parë të arsyeshme të promovojmë vlerat e komandantit legjendar Adem Jashari. Për këtë edhe e kemi porositur shtatoren. Janë ngjallë reagime pasi është shpërndarë një fotografi e shtatores së papërfunduar. Sikur njerëzit ta shihnin nga afër nuk është ashtu”, ka thënë ai. Sipas Fushës, versioni i shtatores është përkrahur edhe nga familja Jashari.

Në përurim ka qenë edhe Bekim Jashari, kryetar i Skënderajt dhe i biri i vëllait të Adem Jasharit, Hamzës.

“Në emër të familjes Jashari shpreha falënderime për qytetarët e Prizrenit, në veçanti për pronarët e ‘Abi Çarshia’, për nderin që i kanë dhuruar familjes Jashari me ngritjen e kësaj shtatoreje në Prizrenin historik, me ç’rast në emër të Komunës dhurova stemën e Komunës së Skënderajt dhuratë për ta. Po ashtu, në këtë manifestim urova që të gjithë shqiptarët të jemi të bashkuar sikur sot”, ka shkruar ai në Facebook.

Kritikat: Shtatoret – fyerje për heronjtë

Por ata që kërkojnë largimin e shtatoreve janë të shumtë. Janë artistë, politikanë, aktivistë e qytetarë të tjerë.

Zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, ka reaguar nëpërmjet një shkrimi të titulluar: “E trishtueshme qysh nuk ua vret synin!?”

“Në përmasa t’pasakta të anatomisë së njeriut (madje të sakatueme) dhe në primesa t’shëmtueme estetike, në Prizren janë fye dy heronjtë kryesorë të historisë shqiptare, Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari!”, ka shkruar ai në Facebook. Sipas Matoshit, ky nuk është as kiç që i përshtatet shijes së masave, sepse edhe njeriu ma i paedukuar artistikisht e vëren se përmasat dhe karakteret e dy figurave janë skandaloze.

“Shtatoret e Gjergjit dhe Adem Jasharit janë shprehje e një gjendjeje gulçimi të shtangun, pune shkel e shko e ngërçi mendor të nji shoqnie dhe guximi prej budalle të ndonji kinse skulptori amator”, ka shkruar ai.

Artisti konceptual Alban Muja ka thënë se nuk duhen shtatore të tilla. “Shumica e shtatoreve të punuara pas luftës duhet me u largu dhe me u zëvendësu, jo vetëm shtatoret, por edhe narracioni për to”, ka thënë ai derisa ka renditur disa kritere për vepra arti në hapësira publike. Pikërisht këtë temë Muja e kishte trajtuar edhe në shkrimin autorial “Reflektimi për drejtësi karshi reflektimit estetik”, botuar në qershor të këtij viti në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore”. Kishte marrë shembull edhe Prizrenin. “Imagjinojeni nëse një turist i ardhur nga kufiri në Morinë, i cili pasi ka vizituar Shqipërinë, vjen ta vizitojë edhe Kosovën dhe bën një ndalesë në Prizren. Në Shadërvan has në shtatoren e heroit Ismet Jashari-Kumanova. Është aq dobët e punuar, saqë një vizitori me shije ia mbyll vizitën aty ende pa arritur tek ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit apo në Kala”, kishte shkruar ai pesë muaj pasi këtij qyteti do t’i shtoheshin edhe dy shtatoret e radhës. “Fatkeqësisht të tilla shtatore kemi në çdo qytet në vendin tonë dhe lajm i keq është që çdo ditë po shtohet kjo punë e dobët”, qe paralajmërimi i tij. “Të punuara pa shije, pa kritere, pa hulumtime, shpesh pa konkurse dhe të zgjedhura nga politikanët, dhe rezultati është ky që kemi – shtatore qesharake në sheshet e vogla”, kishte shkruar Muja.

Gazetari Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane “Tagesanzeiger” dhe kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”, reagimin e tij e ka titulluar: “Përmendoret absurde e pështyjnë historinë!”. Sipas Robellit, një popull së pari duhet ta sqarojë se për çka dhe për cilat gjëra është krenar. Ka shkruar se kjo është baza e definicionit të patriotizmit.

“Folklori e dekoron patriotizmin, më shumë s’arrin dot. Përmendoret absurde e pështyjnë historinë. Pastaj: është lehtë të jesh krenar me të kaluarën. Por më e rëndësishme është të jesh krenar me mënyrën se si sillesh dhe çfarë qasje ke si popull e shoqëri ndaj të kaluarës”, ka shkruar ai në Facebook. Sipas Robellit, përmendoret karikaturale janë tallje me historinë dhe me personalitetet që gjoja nderohen, në fakt përdhosen.

“Çfarë na bën patriotë nuk është shuma e parullave që brohorasim, flamujve që valëvisim dhe busteve që zbulojmë, por bindjet e përbashkëta për të mirën e përbashkët. Kjo arrihet me patriotizëm të bazuar në Kushtetutë, jo me patriotizëm deklarativ”, ka shkruar Robelli.

Kryetrari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkuar deri atje sa e ka vënë në dyshim lejimin e vendosjes së shtatores së Fadil Vokrrit në Prishtinë.

“Sot jam edhe më i bindur. Në qoftë se shtatorja e Fadil Vokrrit është e njëjta me maketin e prezantuar më herët, ku lidhje me Fadilin s’ka, nuk do ta lejojmë vendosjen. Shtatorja e Bill Clintonit tashmë është landmark, me bo fotografi për të qeshur”, ka shkruar ai në Facebook. Ka sqaruar se si Komunë kanë një marrëveshje me familjen Jashari për vendosjen e shtatores së heroit në Prishtinë.

“Na ka mbet ajo e Komandantit Adem Jashari për të cilën jemi dakorduar me familjen Jashari që në Prishtinë duhet të jetë ndryshe. Ndoshta me të fillon etapë e re e shtatoreve, me porosi e jo me karikatura”, ka shkruar ai.

Shkrimtari e studiuesi i letërsisë Agron Gashi ka shkruar se me këto shtatore janë fyer dy heronjtë. “Statuja e Skënderbeut sipas modelit maqedono-bullgar, e Adem Jasharit, atipike për të, duket si model i kaçakëve grekë. Këto dy statuja urgjentisht duhet të hiqen. E turpshme!”, ka shkruar Gashi.

Shtatoret e vëna pas luftës së fundit janë kritikuar vazhdimisht. Janë parë si një invazion i realizmit socialist të Shqipërisë, ku luftëtarët nuk shkojnë përtej realizmit dhe armëve gjigante në duar.

Lexoni edhe..

SHKARKO APP