Takimi në Austri. Thaçi e Vuçiç nisin negociatat për shkëmbim territoresh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ndodhen sot në Austri, për të marrë pjesë në forumin vjetor të Alpbach-ut. Forumi i Alpbach është një takim periodik i presidentëve dhe kryeministrave të botës ku diskutohen projekt për biznesin dhe teknologjinë, por edhe ku zhvillohen takime diplomatike të karakterit jo zyrtar mes përfaqësuesve të shteteve.

Pjesëmarrja e Hashim Thaçit dhe e Vuçiç në këtë forum duket se nuk është rastësi. Të dy presidentët kanë hedhur idenë e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve, një projekt që ka ngjallur debate dhe reagime kundërshtuese në mjaft vende. Zyrtarë të lartë austriakë dhe europianë dëgjuan për herë të parë opinionet e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit për shkëmbim territoresh. Edhe pse forumi i Alpbach’ut mbahet çdo vit, kësaj radhe duket se po merr karakterin e një konference ndërkombëtare për Kosovën. Në takim morën pjesë Presidenti i Austrisë, Komisionari për Zgjerim i BE-së dhe Presidenti i Sllovenisë. Pak para nisjes së forumit, Aleksandar Vuçiç deklaroi se s’ka asnjë dyshim se do ta takojë Thaçin gjatë dy ditëve në Austri pasi janë pjesë e tre forumeve me të. Një temë është perspektiva e Ballkanit Perëndimor ku do flasin të dy. “Aty do të flasim publikisht ndërsa me përfaqësuesit e BE’së shpresoj që do të kemi bisedë të vërtetë për zgjidhjen e problemeve” ka thënë Vuçiç.

Forumet ndërkombëtare cilësohen edhe si paradhoma e diplomacisë ku diskutohen projektet dhe idetë që më pas marrin karakter zyrtar, në takimet protokollare.

Në forumin e hapur ku merr pjesë dhe Komisionerin Johanes Hahnne, dy presidentët kanë folur me radhë për idetë e tyre. Në fjalën e tij, Thaçi përmendi çështjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Thaçit, arritja e një marrëveshje të tillë nuk është fare e thjeshtë, por në të njëjtën kohë shtetasit kosovarë në kufijtë etnikë nuk do të preken.

“Koha për të bërë arritur marrëveshjen Kosovë-Serbi është tani. Nuk është farë e thjeshtë. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kemi shqyrtuar rishikimin e kufijve. Kosovës nuk do t’i preken kufijtë etnikë, por marrëveshja jonë ka një vizion të qartë”,- tha Thaçi. Presidenti i Kosovës tha se po kërkojnë një zgjidhje për paqe dhe marrëveshja Kosovë-Serbi nuk ka përse të sjellë probleme në rajon. “Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë dhe ne e mbështesim rrugëtimin e saj në BE dhe NATO. Edhe Serbia duhet të jap garanci që në Bosnje nuk do të ketë ndryshime nga kjo marrëveshje”,- tha Thaçi.

Ndërsa në fjalën e tij, presidenti Vuçiç i kërkoi të gjithë vendeve të tjera të Europës që kanë ndërhyrë në debat që të qëndrojnë larg pasi të dyja vendet e Ballkanit janë mëse të afta ta zgjidhin këtë situatë. “Diskutimet Beograd-Prishtinë? Diskutimet vijnë më shumë nga vendet e tjera sesa nga ne. P.sh nuk e kuptoj pse Britania shqetësohet kaq shumë. Ne e konsiderojmë Kosovën një shtet të lirë. Gjysma e shteteve thonë se Kosova është e pavarur por shumë vende të tjera e konsiderojnë serbe. Si do ta zgjidhim këtë? Ju thoni mos i ndani sepse ne i ndamë ashtu siç deshëm. Ne duam të bëjmë diçka për njerëzit tanë. Ne duam të sjellim diçka të mirë për serbët dhe për shqiptarët. Kush do ta zgjidh problemin e tyre, kush do të jetë i aftë ta zgjidhë? Askush përveç nesh. Në Serbi kemi një situatë politike të fortë, sepse ata mendojnë që unë do t’i jap një pjesë të Serbisë shqiptarëve. Duhet mbajtur paqja dhe qetësia në vendet tona. Ne po bëjmë diçka për të ardhmen e dy vendeve. Na e lini ta zgjidhim vetë. Nuk do të lejoj askënd të ndërhyjë. Po i kërkoja Hahn, të mbështeste dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë dhe Thaçi nuk e pëlqejmë njëri-tjetrin, por duhet të flasim për të arritur një marrëveshje. Ne nuk e dimë ku janë kufijtë tani. Doni të gjejmë zgjidhje apo të vazhdojmë kështu siç jemi?”,- tha Vuçiç.

Ndërsa komisioneri i BE Johanes Hanh deklaroi se “ne mbështesim çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që nuk cënon stabilitetin e rajonit”.

Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha sot ajo do të ndërmjetësojë takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 7 shtator.

VIDEO/Prezantimi i ideve të Thaçit dhe Vuçiçit në forumin e Austrisë (anglisht)

https://www.facebook.com/alexandervanderbellen/videos/574686246267898/

SHKARKO APP