Taulant Balla, “zëdhënësi” më i ri i UÇK-së, sektori për tallje me Kosovën

Nga Enver Robelli –
Ndërsa gjendja me koronavirusin në Shqipëri rrezikon të dalë nga kontrolli, ndërsa ekziston rreziku që BE të mos hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, sundimtarët socialistë në Tiranë e kanë gjetur një temë: Kosovën pas arrestimeve të fundit të 4 politikanëve me të kaluar në UÇK. Keqpërdoret Kosova për patriotizëm dylekësh. Shefi i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, sipas një televizioni oborrtar të PS-së, paskësh vendosur të kërkojë krijimin e një komisioni hetimor mbi “të ashtuquajturat burgje të UÇK-së në Shqipëri”.
21 vjet pas luftës një politikan socialist, për nevoja elektorale dhe beteja politike të kasabasë së Tiranës, i kthehet një çështjeje për të cilën Shqipëria zyrtare nuk është interesuar kurrë. Tash shfrytëzohet situata e krijuar në Kosovë pas arrestimeve të fundit për të bërë poza e skena bajate kuazi-patriotike.
Taulant Balla ndoshta nuk e di, por për ekzistencën e këtyre burgjeve janë mbajtur procese gjyqësore në Prishtinë (nga drejtësia ndërkombëtare) dhe janë dënuar në vitin 2011 tre pjesëtarë të UÇK-së, me 15, 12 dhe 7 vjet burg.
Nuk ka faj Lulzim Basha për këto burgje, por shteti shqiptar që nuk është interesuar se çfarë po ndodhë në territorin e tij. Betejën me Lulzim Bashën socialistët le ta zhvillojnë rreth temave të Tiranës dhe jo në kurriz të Kosovës, duke dashur të shtiren si patriotë. S’ka të bëjë kjo asgjë me patriotizëm. Vetëm me përpjekje të mjera për largim vëmendjeje nga problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohet Shqipëria, përfshirë, në radhë të parë, korrupsionin dhe krimin e organizuar prej disa dekadash. Dhe këtu pjesën e kafshatës e kanë marrë të gjithë, pozitë e opozitë. Tash shesin dokrra. Mbani për vete dhe lëreni Kosovën në hallet e veta.

SHKARKO APP