Të martën skadon afati kushtetues, Kosova në prag të zgjedhjeve të reja
Të martën në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Pa zgjedhjen e tij vendi shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, të tretat pas atyre në shkurt e dhjetor.
Nuk ka ujdi ndërmjet subjekteve politike parlamentare për një kandidat konsensual për zgjedhjen e presidentes/it të Kosovës që do ta shpëtonte vendin nga zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Vetëm deri në mesnatën e së martës, (28.04) ka efekt afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese kur Kosova duhet të ketë presidentin, pastaj automatikisht shpërndahet parlamenti.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, u ofroi së fundi partive opozitare Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për president. Partia në pushtet bëri një deklaratë në rrjetin social Facebook, ku tha se do t’i tërhiqte kandidatët e vet nga gara për president të propozuar më parë, “zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.
“Kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”, u tha në njoftimin e Vetëvendosjes.
Opozita e cilëson ofertën e Vetëvendosjes “jo serioze”
Dy subjektet politike opozitare ofertën e Vetëvendosjes e cilësuan “joserioze”, duke e lidhur me faktin që, siç u shprehën, “ata bëjnë deklarata në Facebook” për çështje kaq serioze dhe jetike. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se “unë e kam thënë edhe më herët se çështja e presidentit është e mbyllur për PDK-në”, duke e cilësuar ofertën e Vetëvendosjes “shumë joserioze”. “Për ne nuk është ofertë aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. LDK është subjekt politik në vete. PDK është subjekt politik në vete”, tha Hamza.
Po këtë qëndrim pati edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili tha se “çështja e zgjedhjes së presidentit është shumë serioze sesa për t’u diskutuar përmes rrjeteve sociale”. Megjithatë, ai tha se “nëse Kurti dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, duhet ta bëjë vetëm me LDK-në”, dhe shtoi se oferta e Vetëvendosjes “duket më shumë si manovër politike”.
Abdixhiku, duke iu drejtuar Vetëvendosjes, tha se “nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”.
LDK ka vetëm 15 ulëse në Kuvend. Javën e shkuar, kryeministri Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa Partisë Demokratike të Kosovës postin e kryeparlamentarit, në mënyrë që presidenti të mbetej nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht njëri nga kandidatët e saj, Glauk Konjufca apo Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Të dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, refuzuan ofertën e Albin Kurtit, duke e akuzuar atë që po synon t’i kontrollojë institucionet kryesore në vend.
Për kryeministrin Albin Kurti oferta e Vetëvendosjes për partitë politike opozitare ishte “gjeneroze”, duke paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të njëpasnjëshme për faktin që asnjë parti politike nuk mund t’i sigurojë 80 deputetë sa janë të nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit.
Ngërçi i tejzgjatur për zgjedhjen e presidentes/it
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që procesi i zgjedhjes së presidentit të mund të vazhdojë. Lëvizja Vetëvendosje, me partnerët në qeverisje, pakicat jo serbe, ka vetëm 66 ulëse në Kuvend, nga 120 vende sa i ka parlamenti i Kosovës. Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit si presidente dhe dështimit të Kuvendit që ta zgjedhë presidenten/in e ri, më 4 prill, sipas Kushtetutës, ushtruese e detyrës së presidentes u emërua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nuk mund ta ushtrojë këtë post më shumë se gjashtë muaj.
Vetë Haxhiu, e cila vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, disa herë u ka bërë thirrje partive politike për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Të martën në mesnatë (28.04.) përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës; në të kundërtën vendi duhet të mbajë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, që do të ishin të tretat pas atyre në shkurt dhe në dhjetor të vitit 2025./DW
KOHA JONË SONDAZH
Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?
Results
Vota totale: 9254

