Tensione të egra në veriun e Kosovës. Presidenti serb nis ushtrinë drejt kufirit
Nga “Zëri i Amerikës”-
Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Në hyrje të komunës së Zveçanit pati edhe gaz lotsjellës dhe shpërthim shashkash, ndërsa të paktën një makine të policisë iu vu flaka.
Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.
“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.
Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor/VOA/
Presidenti serb nis ushtrinë drejt kufirit me Kosovën
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i cili sonte pritet të mbajë një miting në Serbi, ka dhënë urdhër që Forcat e Armatosura të Serbisë të vihen në gjendje gatishmërie për shkak të ngjarjeve në veri të Kosovës.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka lëshuar sot një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë” raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
“Presidenti dhe komandanti i përgjithshëm Aleksandar Vuçiç kanë nënshkruar një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë dhe kanë urdhëruar që të lëvizin menjëherë në drejtim të vijës administrative me Kosovën”, shkruan agjencia serbe.
Për këtë më vonë ka folur edhe Ministri serb i Mbrojtjes. “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pak para orës 14:00 i lëshoi një urdhër ushtrisë për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë dhe që nga ai moment Ushtria filloi aktivitetet e saj”, tha ministri i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç. “Është urdhëruar një lëvizje urgjente drejt vijës administrative me Kosovën”, shtoi Vuçeviç.