Tjetër samit për çështjen Kosovë-Serbi

Kancelarja gjermane Angela Merkel njofton se Gjermania dhe Franca po koordinohen për të ndërmjetësuar një tryezë të re Kosovë-Serbi. Nga Uashingtoni, presidentët Thaçi dhe Vuçiç, kërkojnë dialog pa kushte.

Gjermania dhe Franca planifikojnë një Samit të Paris si ai i 29 prillit 2019 në Berlin, për të normalizuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është konfirmuar për gazetën “Blic” nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Sipas të përditshmes serbe, nëse Kosova shfuqizon tarifën menjëherë, mbledhja e zyrtarëve nga Prishtina dhe Beogradi nuk do të jetë e largët.

“Gjermania mbështet plotësisht vazhdimin e shpejtë të dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, nën kujdesin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Zhuzeb Burej,” njoftoi zyra e kancelares Merkel.

Zhvillimi vjen ndërsa të hënën presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të njëjtat tema.

“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë. Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve, dhe që fundi i dialogut të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur me një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke, jo më pak ose më shumë, nën integritetin e tanishëm territorial,” deklaroi Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Në takimin e organizuar nga emisari i posaçëm i SHBA-së, Riçard Grënell, dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brajën, Vuçiç theksoi se për të vazhduar dialogu është kusht heqja e tarifës 100%.

Qeveria kosovare me kryeministër Albin Kurtin ka thënë se heqja do të vijë gradualisht nëse Serbia ndal fushatën kundër pavarësisë së vendit, por kjo duket e vështirë pasi të martën kryediplomati serb Ivica Daçiç konfirmoi se shteti i Afrikës Perëndimore, Sierra-Leone, ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Lajmi erdhi gjatë vizitës së Daçiç në vend, ku ai tha se me 92 shtete, tashmë Kosova nuk ka më shumicë mbështetëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

SHKARKO APP