Tre ditë para takimit në SHBA, Haga ngre akuzë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Prokuroria e Hagës ka ngritur akuzë për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se “më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Sipas akuzës, pretendohet se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Dyshimet e prokurorisë speciale flasin për qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Prokuroria Speciale deklaron se arsyet e publikimit të njoftimit për padinë lidhet me përpjekjet për pengimin e Gjykatës Speciale për Krime lufte që u ngrit në Kosovë.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Padia ndaj kreut të shtetit te Kosovës dhe politikanit kryesor të opozitës vjen vetëm tre ditë para mbajtjes së takimit me palën Serbe në SHBA, ku do të diskutohet për arritjen e një marrëveshje.

SHKARKO APP