Trump nënshkroi mbrojtjen për Kosovën, Ambasada në SHBA: Mbështetja u rikonfirmua
Pas miratimit të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga presidenti amerikan Donald Trump, Ambasada e Kosovës në Uashington ka reaguar publikisht, duke e cilësuar këtë vendim si një riafirmim të fuqishëm të mbështetjes amerikane për Republikën e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada ka vënë në pah se ky akt ligjor përfshin dispozita me rëndësi të veçantë për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, sigurisë dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Po ashtu, ligji mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi parimin e njohjes reciproke, ndërsa kundërshton hapur çdo ide që lidhet me ndarjen territoriale apo ndryshimin e kufijve në rajon.
“Ky është një mesazh i qartë politik dhe strategjik për Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Jemi mirënjohës ndaj Kongresit amerikan, Shtëpisë së Bardhë dhe të gjithë aktorëve që kontribuuan në përfshirjen dhe miratimin e këtyre dispozitave me peshë për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026 parasheh një buxhet rekord për ushtrinë amerikane në vlerë prej 901 miliardë dollarësh, rreth 8 miliardë më shumë sesa kërkesa fillestare e paraqitur nga presidenti Trump.
Në dokument, Ballkani Perëndimor trajtohet në mënyrë të veçantë, ku theksohet se reduktimi i varësisë së rajonit nga gazi dhe karburantet fosile ruse përbën interes strategjik për Shtetet e Bashkuara.
KOHA JONË SONDAZH
Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?
Results
Vota totale: 12452

