Ura e Ibrit! BE-qeverisë së Kosovës: Nëse s’na dëgjoni, do mbeteni vetëm! DASH: S’hezitojmë të mbrojmë jetët e amerikanëve
Ura e Ibrit po sjell përplasje mes Kosovës dhe aleatëve si në Europë, por edhe aleatin e madh, siç është Amerika. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe mbrapa, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj. Stano shton se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.
”Dua t’i rikujtoj të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.
BE përsërit edhe njëherë qëndrimin se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Sipas Stanos, diskutimi për Urën e Ibrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të thotë marrëveshje e re, por diskutim rreth zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur.
Departamenti i Shtetit, thotë se ShBA nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të mbrojë personelin dhe popullin amerikan në Kosovë. Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.