Vaksina anti-Covid, Serbia ftesë qytetarëve nga Kosova
Qytetarët e Kosovës janë ftuar që të aplikojnë në Serbi për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, e ashtuquajtura zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka thënë se aplikimi duhet të bëhet në institucionet shëndetësore në vendet ku jetojnë.
E imunizimi do të bëhet për qytetarët nga Kosova në tri qytete të Serbisë. Ata nga komunat e Veriut në Rashkë, ndërsa ata nga pjesët tjera në Kurshumli dhe Bujanoc.
Kujtojmë se, Serbia është vendi lider në rajon sa i përket numrit të vaksinimit.
Serbia është në Top 10 e botës pasi qeveria e Beogradit është përpjekur të marrë vaksina nga të gjithë ofruesit. Prandaj në Serbi janë në dispozicion prej disa javësh jo vetëm vaksinat e Pfizer/Biontech, por edhe vaksina ruse “Sputnik V” dhe vaksina kineze Sinopharm.
Po ashtu ndryshe nga shumë vende të tjera, qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin se çfarë vaksine dëshirojnë të bëjnë.