Valon zvicerani

Nga Halil MatoshiFutbolli është bërë pasqyrë ku njerëzit nga të gjitha anët e globit e shohin sesi po ndryshon jo vetëm ideja e një atdheu të vetëm dhe e një kombi etnik, por edhe atë sesi po ndryshon bota…

Gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit “Afrika e Jugut 2010” mes shumë yjesh pati shkëlqyer edhe ylli i kombëtares gjermane, Mesut Ozil, për të cilin kolumnisti i “The New York Times”, Roger Cohen, nën titullin – “bombë” për etnonacionalistët – “Özil gjermani” shkruante se e kishte magjepsur…

“Özil, 21-vjeçari me klas. Ai është një gjerman. Kjo është pjesë e magjepsjes sime. Ozil është një gjerman mysliman me origjinë turke, i cili beson se ka gërshetuar traditat: “Teknika ime dhe ndjenja për topin është ana turke e lojës sime. Disiplina, qëndrimi dhe gjithmonë – japim-për ju – të gjitha – është pjesa gjermane. ”

Më tej Cohen shpjegon se Ozil është një gjerman, por vetëm tani.

Cohen flet për fundin e viteve ’90, të cilat i kishte kaluar në Berlin, vite të cilat ishin shënuar nga debati plot zemërim, pasi vendi u zhvendos nga një pikëpamje “völkisch” e kombësisë – një bazë të kombit të gjakut dhe truallit gjerman – në një komb shumetnik, përmes një ligji më liberal që u dha miliona imigrantëve shtetësinë për herë të parë. Özil nuk do të kishte qenë gjerman deri në ligjin e imigracionit të vitit 1999.

Është ky legjislacion që ka lindur në Gjermaninë e Özil dhe të bashkëlojtarëve Sami Khedira dhe Jerome Boateng (bij etërish tunizianë respektivisht Ghanaian) që edhe sot pas gjashtë vjetësh e mbajnë në supe ngritjen e kësaj kombëtareje futbolli drejt majave, në “Euro 2016”, që po mbahet në Francë. (http://www.nytimes.com/2010/07/02/opinion/02iht-edcohen.html?_r=0)

Në kohën kur edhe teoria kombëtariste gjermane e gjakut, e gjuhës dhe e truallit po zbehet (ka ende shqiptarë të dërrmuar nga fukarallëku dhe të sunduar nga kakistokracitë ballkanike (qeverisje e përbërë nga qytetarët më të ligj) që janë çmistuar nga parullat e “egra”: “Një komb – një gjuhë – një flamur”, pa e pasur idenë se me këso thirrjesh po rrëshqasin në budallallëk…

Në anën tjetër, sharjet dhe pështymat e “kuqezinjve” ndaj futbollistëve të kombëtares zvicerane, me prejardhje kosovare nuk janë vetëm armë “te lejuara” për ta çorientuar kundërshtarin, porse e kanë tashmë një histori – pra nuk janë të sotshme – ato anojnë nga një imperializëm bajat, sipas të cilit në kombin unik shqiptar ka disa rende qytetarie!?

E rendi i parë natyrisht është i rezervuar për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë dhe ata që i bashkuan tablove biologjistike identitare, si Cana, Xhaka i riu, Mavraj etj.

Në rendin e dytë të qytetarisë, në kombin shqiptar janë ata që i kanë të shkruar mbiemrat sipas grafologjisë sllave, sepse janë të lindur në Maqedoni ose Serbinë jugore, si Naser Aljiji dhe Bljerim Dzemaili, e të cilët përbuzen për këtë fat të keq, që e kishin prindërit e tyre nën administratat pushtuese të sllavëve!?

Ndërsa për ata që i janë bashkuar kombëtareve në shtetet ku janë ngritur dhe jetojnë, janë të rezervuara rëndom mallkimet më të pështira, tipike ballkanase, pra mbi kokat e tyre sillet fantazma e tradhtisë, sepse ata perceptohen si qytetarët më të ulët, pra në rendin e tretë të qytetarisë shqiptare, brenda kombit unik shqiptar, gjithnjë duke u bazuar në teorinë gjermane të gjakut!?

Dhe nga të gjitha yjet e futbollit me origjinë kosovare, më i urryeri padyshim që është Valon Behrami.

Atij i janë reshë pas, kaherë, tifozë agresivë dhe sharës e bjerrakohës tjerë të veshur herë si “kuqezi” e herë si “plisa”, të cilët, duan ta poshtërojnë, jo pse ai ka bërë ndonjë të keqe ose provokim, por thjesht e duan shkatërrimin e tij të nxitur nga një lloj smire tipike ballkanike, pse ai, një shqiptar i origjinës kosovare që ia ka kthyer shpinën atdheut (sipas logjikës shqiptare, një tradhtar) ka arritur diçka në jetë dhe pse “ne” nuk po arrijmë gjë prej gjëje, duke qenë “patriotë të zjarrtë dhe atdhetarë” të veshur me keatdch-kuqezi!?

Po të mos ishte gjetur në “krahët e shanseve” që ofron një shtet i organizuar mirë si Zvicra (që njihet për orët zvicerane) djali i emigrantit Ragip Behrami nga Baksi i Skenderajt do të mbetej një bari në fshatin e lindjes ose të shumtën do të kërkonte një punë rrugësh në Skenderaj a Prishtinë, një shitës ambulant cigaresh, farash apo kartelash të telefonisë mobile!?

Mirëpo, brohorimat që u dëgjuan gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër të drejtuara nga ai (“Valon magjupi”) nuk flasin gjë për Valonin, por për ata që i shqiptojnë.

Ata dalin të jenë racistë të ndyrë!

Porse njësoj, si “Valon magjupi” atij mund t’i drejtoheshin edhe p.sh. “Valon zvicerani”, por a do të ishte kjo fyerje? Jo!

Kjo do të merrej si tepër lavdëruese, gjithnjë sipas mendësisë së etnocentristëve të Ballkanit!

Shprehja “Valon magjupi” së këndejmi nuk i lë shenjë Behramit, por flet për racizmin në rritje të shqiptarëve që përbuzin një komponentë të shtetit të tyre (romët shqiptarë janë natyralizuar si pjesë e pandashme e kombit shqiptar, (sa për ilustrim, Republika e Shqipërisë ka pasur presidentë e kryeministra me origjinë rome, ndërsa Anjeza Shahini e ka përfaqësuar kombin në “Eurovision”) e romët kosovarë janë kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës me gjasa të përqafimit të kombit të ri.

Shqiptarët me këso thirrjesh për t’u vajtuar dëshmojnë edhe për faktin sesa pak e duan lirinë e tyre të fituar me aq vuajtje e flijime…

Kori i “terroristëve verbalë” (Presidentja kroate Kolinda Grabar-Ktarovic, pa iu dridhur qerpiku, i cilësoi “terroristë që do të ndëshkohen” tifozët kroatë që patën sjellje prej huliganësh ekstremë gjatë ndeshjes Kroaci – Republika Çeke, pra disa grupe tifozësh shqiptarë dhe kosovarë, në vendet e origjinës janë shndërruar në “kastë të paprekshmish”, si të ishin bartës të hajmalive dhe tribuve e shenjtëve…!???

Masa skizofrene që thërriste me sa gurmaz që kishte “Valon magjupi”, së pari mësynin ta përbuznin një kosovar të suksesshëm, i cili i jep hijeshi imazhit të Kosovës në botë – e së dyti – me racizmin e tyre, pavetëdijshëm ata e denigronin edhe atdheun e tyre, sepse pjesëtarët e komunitetit rom janë shtetas të barabartë dhe i janë besnikë Republikës së Kosovës!

Mirëpo kjo kategori etnonacionalistësh të tërbuar, denigruesish e sharësish, në Kosovë janë ose në majat e pushtetit ose pranë pushtetit!?

(Behramin e pati mallkuar “si tradhtar”, pra me qasje raciste edhe një ish-qeveritar i Kosovës, prandaj vërehet se ka sistem në këtë budallallëk dhe nuk është vetëm shpërthim çasti i turmave mendjeufull!?)

Këta racistë të mjerë s’kanë bukë boll në vendin e origjinës dhe i vërsulen një kosovari të suksesshëm në Zvicër.
Sepse thjesht janë injorantë.

E injoranca është fuqi ndër shqiptarët, sepse është shumicë!

Ata edhe meritojnë dhembshuri.

Thjesht e kanë shkollën – kazermë, që nuk prodhon dije, por etnonacionalizëm e racizëm.

Që rekruton injorantë për t’u shërbyer partive politike si klientelë, pra sistemit klientelist.

Ata e kanë ekonominë dhe mendjen: Shkret!!!

Dhe s’u ka mbetë tjetër pos të shajnë në stadiume e podium, në internet e kudo që u jepet rasti…
Ata përbuzin fatin e tyre të përmbysur duke e projektuar te tjetri një fajtor kujdestar!

Një armik i fabrikuar që na bezdis thellë në ndërgjegje, por që kurrë nuk vjen të na marrë të mirat tona!?

Ajo që e shkruante Cohen për Mesut Ozilin më 2010 i shkon për mrekulli rastit “Behrami”. Ai vërtet është Valon zvicerani. Jo vetëm që i mbron ngjyrat kombëtare të konfederatës helvetike, por ai sillet dhe flet si një zviceran i vërtetë, i vetëdijshëm për të mirat që ia ka ofruar ai shtet dhe ajo shoqëri.

Mirënjohës dhe luajal..

Më trishton fakti sesa shumë shqiptarë të Kosovës rrëmbehen pas atdheve mitikë e romantizmave të shekullit 19, duke e mohuar atdheun e tyre real – shtetin e Kosovës – të cilin më shumë e zënë ngoje ndër festa e zi, e urojnë e ngushëllojnë, e trimërojnë dhe inkurajojnë diplomatë dhe burrështetas të huaj, sesa vetë shumica e kosovarëve!?
Shteti është brend, kurse flamuri fotografi – ikonë e tij.

Flamuri kosovar nuk është vetëm simbol që na e përkujton se ç‘ishim dje, por edhe ç‘do të jemi nesër.

Fuqia e tij ikonë duhet të na mbajë bashkë në komb.

Fuqia ikonë e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur. Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit…Nëse në shtet mbretëron drejtësia, demokracia dhe liria, siguria dhe mirëqenia ekonomike, flamuri i atij shteti shfaqet si informata e parë, kuptimplotë, që ngjall respekt për atë subjekt.
Imazhi i një shteti si fotografi, dhe ndjesi asociative krijohet në vetëdijen e njerëzve sapo ta shohin ose ta përmendin atë subjekt (shtetin-komb.)

Ç’është pra një komb?

“Ajo që ne jemi duke folur këtu nuk është histori akademike, por historia publike dhe mënyra që formon ndjenjën se kush jemi”, – thotë Peter Catterall, një lektor i historisë në Universitetin e Londrës dhe themelues e redaktor i revistës “National Identity” . “Kombi nuk duhet të ngatërrohet me shtetin”, – thotë M. Lane Bruner, profesor i komunikimit në Universitetin Georgia State.

“Shteti dhe institucionet e tij janë gjëra konkrete, ndërsa kombi është diçka që është më shumë një fantazi. Jo fantazi e plotë, por një fiction politikisht i rëndësishëm. Pasi njerëzit të besojnë atë, ajo bëhet e vërtetë”, – thotë ai.

Përballë ndeshjes Shqipëri- Zvicër, secili kosovar i edukuar do të ishte i lumtur kurdoherë që Shqipëria fiton, nëse natyrisht është i interesuar për futbollin.

Porse: do të ishte qesharake ta mohojë faktin se Zvicra ka ekip më të mirë dhe se shumë kosovarë që e kanë arritur lumturinë në këtë shtet është po aq normale që t’ia falin dashurinë shtetit zviceran!?

Në pyetjen e gazetës më të madhe zvicerane “Tages Anzeiger” sesi ndihet një kosovar përball kësaj ndeshjeje, kur në të dyja kombëtaret luajnë nga një gjysmë ekipi kosovarë, racionalja të thotë “le të fitojë më i miri”, por ana emotive (njerëzit e kanë qe besa edhe këtë anë të fshehur të personalitetit të tyre) të rrëmben zemrën.

Në të dy ekipet luajnë shqiptarët e Kosovës, bashkatdhetarët tanë, të afërmit, miqtë të cilët janë rritur në Zvicër.
Kjo na bën krenarë kur shohim se ata janë të suksesshëm në skenën botërore të futbollit. Kjo forcon vetëbesimin tonë, ne mund të themi: “Hej, – duam një shtet që funksionon mirë – shih Zvicrën! – Ju keni mundësi të mëdha për të krijuar gjëra të mëdha.

Shqiptarët që tregojnë historinë tonë, lulëzojnë si duhet në qoftë se ata jetojnë në një shtet të rregulluar mirë.

Kosova dhe Shqipëria janë larg nga ajo.

Por unë nuk mundem pa e thënë: Zvicër vs Shqipëri, është për ne një lojë që kënaq zemrat tona.
Unë do të jem i lumtur nëse Shqipëria fiton.

Porse: do të ishte qesharake me e mohue se Zvicra ka ekip më të mirë.

Falë kosovarëve!

Ndër të tjerët!

Futbolli është bërë pasqyrë ku shohim sesi po ndryshon ideja e një atdheu të vetëm dhe një kombi etnik të gjakut, truallit dhe gjuhës, sepse tashmë Ozil gjermani e Valon zvicerani (me plot tjerë) po na e thonë këtë…

Koha Ditore

SHKARKO APP