Video editorial i “Koha Jonë”: Skandali i arrestimit të veteranit të UÇK, Tirana në shërbim të Beogradit

Video editorial i “Koha Jonë”: Skandali i arrestimit të veteranit të UÇK, Tirana në shërbim të Beogradit

EDITORIAL/ Skandali i arrestimit të veteranit të UÇK, Tirana në shërbim të Beogradit

Policia e Shqipërisë ka arrestuar për disa orë në kufi veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Murtez Kastrati. Ish-luftëtari i UÇK-së ishte nisur drejt Shqipërisë si mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës për të kaluar pushimet dhe ndalimi i tij është bërë mbi bazë të një urdhër arresti të Interpolit Serb për krime lufte. Kastrati, për institucionet e drejtësisë serbe është një terrorist që duhet të dënohet për krime gjatë luftës! Njëlloj si ai janë me mijëra qytetarë të tjerë shqiptarë në Kosovë që ndaj të cilëve Serbia ka lëshuar urdhër arreste duke shfrytëzuar institucionet ndërkombëtare si Interpoli. Me të njëjtën mënyrë u ndalua vite më parë Ramush Haradinaj në Francë dhe drejtues të rëndësishëm të luftës së Kosovës në shtete të ndryshme të botës. Në jo pak vende të BE qytetarët e Kosovës që kanë marrë pjesë në luftë për tu mbrojtur nga gjenocidi serb përballen me një formë të re dhune dhe ndalimi për llogari të autoriteteve serbe. Metoda e përdorur nga Serbia për të ndëshkuar ish-luftëtarët e UÇK ka funksionuar me herët në shtete që kanë raporte diplomatike të mira me Beogradin. Me apo pa dashje, sot në këtë listë është futur dhe Shqipëria duke u rreshtuar mes vendeve ku veteranët e UÇK-së nuk e kanë të sigurt kalimin në pikat kufitare.

Ndalimi i një veterani të UÇK-së, mbi bazën e një flet arresti serb në kufirin shqiptar, edhe si gabim procedurial është i pafalshëm për shtetin shqiptar. Fillimisht Ministria e Brendshme mohoi lajmin që qarkulloi në media për ndalimin e qytetarit nga Kosova. Por një reagim i Ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, vërtetoi se arrestimin dhe problemet që ekzistojnë në komunikimin institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë muajve të fundit, Serbia ka përditësuar listën me personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bashkë me kriminelët e zakonshëm dhe trafikantët listës i janë shtuar dhe pjesa më e madhe e luftëtarëve të UÇK-së. Një vendim i tillë, që i vendos gjithë pjesëtarët e UÇK në listën e kriminelëve tregon se jo vetëm Beogradi nuk e ka seriozisht dialogun me qeverinë e Kosovës, por po vijon të fushatën kundër njohjes dhe bërjen pis të luftës së Kosovës. Kjo është strategjia jo e fshehtë e Serbisë dhe nuk ka asgjë që duhet të na çudisë. Ajo që çudit është sjellja e Shqipërisë si një shtet që nuk ka lidhje me Kosovën dhe nuk di se çfarë ndodhë në rajon.

Qeveria e Rilindjes ka marrë prej kohësh pishtarin e vëllazërisë së serbëve me shqiptarët. Mini Shengeni Ballkanik, ideja e shkëmbimit të territoreve dhe bashkëpunimi rajonal pa asnjë kusht me Serbinë, e kanë kthyer Tiranë nga një mbrojtëse të interesave të shqiptarëve në rajon, në një shërbëtore të Beogradit. Zbatimi i fletë arresteve të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe me vulën e Interpolit është një skandal që duhet të shërbejë për të ndalur vasalitetin e çuditshëm të Tiranës ndaj Beogradit. Flet arrestet ndaj UÇK nuk janë për krime, por qëndrim politik dhe propagandë e Serbisë kundër Kosovës. Nëse në qeverinë e Tiranës nuk dinë të ndajnë se cilat janë interesat e shqiptarëve dhe cilat janë ato të serbëve, atëherë nuk është problem procedurial, por krim ndaj interesave kombëtare.

Rilindja e nisi bashkëpunimin me Serbinë për integrimin në BE dhe bashkëpunimin ekonomik. BE-ja po harrohet si projekt dhe ekonomia e Shqipërisë ka kohë që nuk është më konkurruese në rajon. Ajo që po bën Shqipëria këto kohë duket sikur e ka kthyer qeverinë tonë në një zyrë përmbarimi të vendimeve të politikës serbe për rajonin.

 

SHKARKO APP