Vijon kriza politike në Kosovë. PDK dhe Aleanca i bllokojnë sërish derën Kurtit para qeverisë
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vijuar edhe sot për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mosthirrjes së seancës konstituive të Kuvendit. PDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrisë.
PDK prej disa ditësh po zhvillon protesta dhe aksione para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që të thirret sa më shpejt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit dhe të zhbllokohet procesi i krijimit të institucioneve të reja.
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje vazhdimisht kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të caktojë vazhdimin e saj. PDK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mbajnë të bllokuara institucionet e vendit.
Nga ana tjetër, edhe Aleanca ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj zvarritjes së procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që Kosova të rikthehet sa më shpejt në funksionalitet të plotë institucional.
Ngërçi politik vijon prej kohësh, ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk ka përfunduar procesin e konstituimit, duke penguar avancimin e mëtejshëm të krijimit të institucioneve të reja.
KOHA JONË SONDAZH

