Vjosa Osmani në garë për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Mandati pesëvjeçar i presidentes Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.
”Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Osmani për media në Prishtinë.
Njohësit e çështjeve politike kanë thënë se koalicionet eventuale pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës. Posti i presidentit të Kosovës është kryesisht ceremonial, por luan rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe si komandant i forcave të armatosura. Osmani e mori mandatin më 4 prill të vitit 2021, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021.